Trepça dhe Bashkimi kualifikohen në gjysmëfinale
KB Trepça ka mundur Rahovecin me rezultat 82:66 (25:22, 26:7, 13:25, 16:14), duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës.
Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kishin epërsi deri në tetë pikë, por në fund të çerekut të parë, rahovecasit me një seri të suksesshme ngushtuan shifrat në 25:22, sa përfundoi kjo pjesë. Por, shkëputja e madhe e ‘Xehetarëve’ u bë në periudhën e dytë, ku ishin bindshëm më të mirë dhe lejuan ‘Vreshtarët’ të shënojnë vetëm shtatë pikë për dhjetë minuta, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 51:29.
Megjithatë, skuadra nga Rahoveci nuk u dorëzua dhe ishin më të mirë në periodën e tretë, për të tentuar përmbysjen e madhe, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 66:52. Në dhjetë minutat e fundit, u zhvillua lojë kryesisht e barabartë, me Vreshtarët që synonin rikthimin dhe mitrovicasit që ruajtën epërsinë dhe triumfuan 82:66, ndërsa në gjysmëfinale e presin fituesin e ndeshjes Peja-Bashkimi.
Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 19 pikë e shtatë kërcime dhe Erjon Kastrati me 15 pikë e shtatë asistime, kurse te Rahoveci më i miri ishte Jahi Carson me 20 pikë e pesë asistime.
Bashkimi është gjysmëfinalisti i fundit në Superkupën e Kosovës, pasi me rikthim nga minus 15 pikë ka mundur Pejën me rezultat 69:73 (30:15, 10:17, 21:19, 8:22), ku të premten do të përballet me Trepçën.
Pejanët e nisën ndeshjen më mirë, me një seri shumë të suksesshme 13:2 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë bindshëm 30:15. Por, prizrenasit u këndellën në periudhën e dytë, ku arritën të ngushtojnë shifrat në 37:30, kurse pjesa e parë përfundon 40:32.
Portokallezinjtë vazhduan me lojë të mirë dhe ngushtuan shifrat minimalisht në 40:39, por verdhezinjtë sërish u shkëputën dhe shifrat pas 30 minutash ishin 61:51. Megjithatë, asgjë nuk kishte përfunduar, pasi prizrenasit rikthehen furishëm në dhjetë minutat e fundit dhe shkrin epërsinë e tyre e në momentet vendimtare ishin më të vëmendshëm, duke triumfuar 69:73.
Te Peja më i miri ishte Isiah Umipig me 21 pikë, kurse te Bashkimi me i dalluari ishte Prentiss Nixon me 16 pikë, 11 kërcime e gjashtë asistime.