![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/Messenger_creation_5B38C3ED-6C3B-4757-8631-0E469A48512A.jpeg)
Trepça dhe Bashkimi synojnë trofeun e Kupës
Sonte (e mërkurë) zhvillohet finalja e ProCredit Kupës së Kosovës në basketboll në mes të Trepçës dhe Bashkimit.
Kjo përballje pritet të jetë spektakël, duke marrë parasysh rivalitetin mes skuadrave, por edhe formën e mirë të treguar në këtë edicion.
KB Trepça ka fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, duke përfshirë edhe tri herët e fundit, derisa Bashkimi ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm më 2001 dhe tash synon ta fitojë për herë të dytë.
Basketbollisti i Trepçës, Dardan Kapiti, është optimist se skuadra e tij do ta vazhdojë dominimin në garën e Kupës. “Kjo finale do të jetë shumë e rëndësishme për ne dhe qytetin e Mitrovicës. Jemi përgatitur maksimalisht dhe besojmë se do të rikthehem me trofe në qytetin e Mitrovicës. I ftoj të gjithë tifozët të vijnë të na përkrahin dhe të mos këtë incidente”, ka thënë Kapiti.
Për ndeshjen finale ka folur edhe basketbollisti Valon Bunjaku i Bashkimit, i cili ka deklaruar se me ndihmën e tifozëve do ta fitojë Kupën pas shumë vitesh.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje që ka rendësi të madhe për klubin dhe qytetin. Për ta fituar Kupën e Kosovës pas disa vitesh, besojmë se do ta kemi përkrahjen e tifozëve dhe bëjmë thirrje të mos këtë incidente dhe të fitojë basketbolli kosovar”, ka thënë Bunjaku.
Rruga drejt finales nuk ishte aspak e lehtë. Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Proton Cable Prizrenin, kurse në gjysmëfinale rivalin e vjetër, Sigal Prishtinën që, edhe pse humbën ndeshjen e parë, u rikthyen në atë të dytë për ta siguruar biletën për finale. Bashkimi në çerekfinale eliminoi Borën, derisa në gjysmëfinale Vëllaznimin. Në ndeshjen e parë pësuan nga kuqezinjtë, derisa në përballjen e dytë arritën rikthimin për ta siguruar finalen. Biletat për ndeshjen finale të ProCredit Kupës do të shiten për klubet finaliste, Trepçën dhe Bashkimin. Gjithsej do të ndahen nga 750 bileta për Klubin e Trepçës dhe 750 për Bashkimin.
Biletat e thjeshta kushtojnë 5 euro, kurse ato VIP nën kosh kushtojnë 15 euro, që janë në sasi më të vogël dhe menaxhohen nga klubet finaliste. Ndeshja finale zhvillohet më 12 shkurt në Prishtinë nga ora 19:00.
/Epoka e re/