Trepça dhe Sigal Prishtina do të aplikojnë në garat e FIBA Europe Cup
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 29 qershor ka marrë vendim që të miratojë shprehjen e interesimit të KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për të aplikuar për pjesëmarrje në garat e FIBA Europe Cup për edicionin 2022/23.
Këtë vendim Bordi i FBK-së e ka marrë pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga FBK dhe FIBA Europe Cup nga KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për pjesëmarrje në edicionin e ri të kësaj gare evropiane.
KB Trepça është finaliste e “play-off”-it në Art Motion Superligën e Kosovës dhe fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2021/22, kurse KB Sigal Prishtina është gjysmëfinaliste e “play-off”-it në Art Motion Superligë për edicionin 2021/22.
Për Trepçën kjo do të jetë paraqitja e parë në garat e FIBA Europe Cup, kurse Prishtina ka arritur të hyjë në top 16 të kësaj gare, duke pasur suksesin më të madh deri më tani në garat evropiane.