“Trepça” do të regjistrohet në këtë muaj si Shoqëri Aksionare
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka folur në lidhje me gjendjen dhe zhvillimet në “Trepçë”, Telekom, si dhe sektorin energjetik.
Ai gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se “Trepça”, do të regjistrohet në muajin shkurt, e cila do të hapë rrugë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje.
“Qeveria ka formuar Bordin e Trepçës. Ne kemi dorëzuar draft- statusin në Komisionin e zhvillimit ekonomik. Ne kemi adresuar të gjitha çështjet për regjistrimin e ndërmarrjes që do të regjistrohet në muajin shkurt. Regjistrimi i Trepçës hap rrugë për zhvillimin e kësaj ndërmarrje”, ka thënë ministri Lluka.
Ai ka folur edhe për gjendjen në Telekom, ku ka thënë se është hapur ristrukturimi për këtë ndërmarrje.
“Ne jemi të preokupuar me gjendjen e Telekomit. Gjatë katër vjetëve të fundit kjo ndërmarrje ka grumbulluar sfida në të cilat ka ndikuar edhe zhvillimi teknologjik. Në përputhje me dispozitat e ligjit kemi rritur performancën e ndërmarrjes dhe kemi ndaluar kompensimin shtesë. Në bashkëpunim me bordin e drejtorëve kemi hapur ristrukturimin e ndërmarrjes. Përfundimi i këtij procesi do të ketë ndikim pozitiv”, tha Lluka.
Sa i përket KOSTT-it, ministri Lluka tha se kjo ndërmarrje po përballet me humbje të mëdha si pasojë e mos operimit në veri. “KOSTT është duke u përballur me humbje të mëdha. Mos operimi dhe humbjet në veri po shkaktojnë humbje të mëdha. Sa i përket distribucionit është obligim që të investohen 25 mijë euro në vit”, u shpreh ai.