Trepça fiton bindshëm derbin me Vushtrrinë
KH Trepça e ka mbyllur me fitore pjesën e rregullt të kampionatit në Superligën e Kosovës në hendboll. Në “Minatori”, para rreth 1 000 shikuesve, Trepça e mposhti Vushtrrinë me rezultat 37:26. Ishte ky derbi i xhiros së 18-të, të fundit për pjesën e parë të kampionatit.
Ndeshje e barabartë u luajt në dhjetë minutat e parë të takimit, ndërsa më pas mitrovicasit nisën shkëputjen. Në pjesën e parë Trepça kishte epërsi deri në gjashtë gola. Ndërsa në të dytën, epërsia e saj vazhdimisht ishte e lartë.
Deniz Terziqi shkëlqeu te Trepça me 13 gola të shënuar. Kushtrim Kastrati e Lulzim Shabani i kishin nga gjashtë gola. Nemanja Drakuloviq shënoi tetë gola për Vushtrrinë, ndërsa gjashtë i kishte Felippe Teixeira.
Në ndeshjen tjetër të së enjtes, Besa Famgas fitoi bindshëm ndaj Deçanit. Ndeshja në Deçan përfundoi 36:14 në të mirë të skuadrës pejane. Me fitore në derbi, Trepça përfundon pjesën e parë të kampionatit në pozitën e tretë me 20 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vendin e dytë. Besa Famgas është bindshëm e para me 31 pikë.
Kastrioti është i katërti me 19 pikë, Rahoveci i pesti me 18 pikë dhe Vushtrria e gjashta me 16 pikë. Këto gjashtë skuadra prej fundjavës vazhdojnë garën në Superligën A. Vëllaznimi, Deçani e Llapi do të garojnë në Superligën B.