Trepça fiton derbin dramatik në Rahovec
Një ndeshje shumë interesante është luajtur të premten mbrëma në Rahovec.
Në kuadër të xhiros së 20-të të Superligës A, Trepça e mposhti Rahovecin me rezultatin e ngushtë, 37:35.
Ndeshja ishte e fortë dhe shumë interesante. Në të shumtën e kohës në epërsi ishin herë njëra e herë skuadra tjetër.
Në minutën e 55-të, mitrovicasit u shkëputën në katër gola. Por Rahoveci me lojë presing në gjithë fushën ia doli të afrohet në 35:34 në minutën e 58-të.
Më pas Sali Maxhera shënoi për 36:34 e më pas edhe për 37:34. Alban Haziri shënoi golin e fundit në ndeshje për rezultatin përfundimtar, 37:35.
Kushtrim Kastrati ishte më efikasi te Trepça me shtatë gola. Nga gjashtë i shënuan Sali Maxhera e Shpëtim Mehmeti, ndërsa nga pesë i kishin Deniz Terziqi dhe Lulëzim Shabani.
Te Rahoveci u dallua Alban Haziri me 10 gola. Pesë i kishte Marley Wallace, sa edhe Mali Luzha.
Trepça forcohet në pozitën e dytë me 24 pikë, ndërsa Rahoveci është i katërti me 19 pikë.
Superliga A vazhdon të shtunën e të dielën. Ndeshjet e Superligës A transmetohen direkt në RTV 21 Plus.