“Trepça” kërkon ndihmë financiare nga qeveria

12 nëntor 2020 | 13:59

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi bashkë me drejtorin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi, kanë pritur në takim Këshillin Grevist të Punëtorëve të “Trepçës”, të kryesuar nga Ragip Istrefi, përfaqësuesin e Sindikatës së “Trepçës”, Gani Osmani, ushtruesin e detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Hysen Vrajolli dhe disa punëtorë të ndërmarrjes, raporton “Epoka e re”.

Temë diskutimi në këtë takim ishte gjendja e vështirësuar e ndërmarrjes publike “Trepça”, gjegjësisht bllokimi i llogarive të tyre duke pamundësuar edhe dhënien e pagave.

Ministrit Kuçi i janë paraqitur kërkesat e Këshillit Grevist, të cilët kërkuan ndihmë financiare që të kalojnë këtë gjendje.

Duke u treguar për ndihmën që kësaj ndërmarrje i është dhënë edhe me masat përkrahëse të pakos për rimëkëmbje ekonomike, ministri Kuçi u ka premtuar punëtorëve dhe menaxhmentit që nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike brenda Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike do t’u ndahet një shumë e mjeteve dhe do të kërkohet në mbledhje të qeverisë ndihmë shtesë.

“Ajo që mund t’ju garantojë është se ne kemi një shumë të mjeteve në buxhetin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, të cilën mund ta ekzekutojmë menjëherë. Mirëpo, kërkesa juaj është më e madhe dhe për këtë unë në mbledhjen e nesërme të qeverisë do ta paraqes këtë shqetësim dhe do të kërkojë ndihmë për juve për të kaluar këtë situatë”, ka thënë ministri Kuçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diego Maradona është liruar nga spitali pasi kaloi pak më…