Trepça mposhti edhe Bashkimin
Trepça ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 75:68 (21:14, 28:23, 12:12, 14:19), në xhiron e dytë të Prince Caffe Superligës.
Për ‘Xehetarët’ ishte fitorja e dytë në dy ndeshje, kurse prizrenasit kanë një fitore e një humbje.
Pas pesë minutave të barabartë, mitrovicasit për një nuancë ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë 21:14. Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, për të krijuar epërsi deri në 14 pikë, 41:27, që ishte më e larta në ndeshje, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 49:37.
Perioda e tretë ishte e barabartë, por u karakterizua me më pak pikë të shënuara nga të dy skuadrat, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 61:49. Në dhjetë minutat e fundit mysafirët afrojnë rezultatin në 70:65, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe Trepça regjistroi fitoren e dytë, 75:68.
Te vendasit u dalluan Erjon Kastrati me 20 pikë dhe Clevon Brown me 12 pikë e pesë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Fahron Alihoxhiq me 19 pikë e 11 kërcime dhe Prentiss Nixon me 15 pikë.