Trepça nuk luan me Hapoel Galil, izraelitët tërhiqen nga garat
KB Trepça nuk do të luaj përfundimisht me izraelitët e Hapoel Galil Elion në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Hapoeli është tërhequr nga kjo garë.
Është FIBA që i ka larguar nga faqja zyrtare e FIBA Europe Cup dhe ka fshirë ndeshjet e planifikuara të skuadrave izraelite. Për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, FIBA kishte vendosur që ndeshjet e skuadrave izraelite të zhvillohen në Qipro, por këto ekipe nuk ishin pajtuar me të gjitha kushtet e FIBA-s dhe vendosën të tërhiqen edhe zyrtarisht. Tashmë në grupin G do të jenë vetëm tri ekipe. Trepça nga Kosova, Leideni i Holandës dhe Gravelines i Francës.
“Xehetarët” deri më tani i kanë zhvilluar dy ndeshje, duke u përballur nga njëherë me Leidenin dhe Gravelines. Me që të dy këto ekipe ka pësua humbje të thella. Fillimisht, në shtëpi pësoi nga Leideni me minus 30 pikë, 54:84, e më pas, javën e kaluar në Francë nga Gravelines 83:49.
Ndeshjen e radhës, Trepça e zhvillon në Holandë ndaj Leidenit më 15 nëntor, derisa më 22 nëntor e pret skuadrën franceze të Gravelines në “Minatori”. Kjo është hera e parë që ‘Xehetarët’ janë pjesëmarrës të grupeve në FIBA Europe Cup.
Në këtë fazë, mitrovicasit erdhën pasi arritën triumfin ndaj Tindastollin dhe Parnun, takime që u mbajtën në Estoni.