Trepça peng i statutit
Statuti për Trepçën do t’i hapte rrugë zhvillimit të këtij gjiganti ekonomik. Ky statut ishte miratuar dhe dërguar në Kuvendin e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Për kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha Shala, statuti ishte tërhequr për shkak të pakënaqësive që ka pasur Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.
Ajo ka deklaruar se jo zyrtarisht ka marrë informacion se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka dorëzuar atë në Kuvend.
“Fillimisht kur ka ardhur statuti i Trepçës në Kuvend nga Qeveria, deputetët e opozitës nuk iu kanë bashkëngjitë grupit të punës, me punuar për statutin e Trepçës, në mënyrë që me e funksionalizuar Trepçën. Ndërkohë që ka pas pakënaqësi nga Sindikata Punëtorëve të Trepçës dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Lluka, e ka tërheq një farë forme statutin nga Kuvendi dhe është marrë vesh, e ka bë një marrëveshje me Sindikatën e Trepçës dhe prej asaj kohe nuk e kemi pas në Kuvend statutin. Tani kam dëgjuar, ende nuk e kam marrë zyrtarisht si kryetare e komisionit, kam marrë informacion dje nga ministri se e ka dorëzuar në Kuvend statutin”, u shpreh Berisha Shala për “Ekonomia Online”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se komisioni që ajo drejton ka arritur t’i procedojë të gjitha projektligjet.
“Nga gjithsej 23 ligjet që i kemi pas në procedurë për t’i trajtuar, 22 i kemi përfundu, s’ka mbete asnjë në komision. Domethënë 23 i kemi përfunduar si komision, ndërkohë që janë miratuar dhe janë në fuqi 19 ligje, kanë mbetur tre ligje që presin vetëm votimin e tyre në Kuvend”, u shpreh Berisha Shala.