Trepça sërish mposht Prishtinën
Trepça sërish e ka mposhtur Sigal Prishtinën, kësaj radhë në kryeqytet.
Trepça e cila pak ditë më parë mundi Prishtinën në finalen e Kupës së Kosovës në Gjakovë, sonte mundi triumfojë në kryeqytet me rezultat 75-78, ndeshje kjo e luajtur në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Dueli mes rivalëve të mëdhenj në basketbollin tonë, ka prodhuar një superndeshje e cila u vendos krejt në sekondat e fundit të kësaj supersfidë.
Prishtina mjaft mirë e nisi lojën duke dominuar në periudhën e parë, mirëpo, në periudhën e dytë, mitrovicasit u këndellen në lojë duke e rikthyer epërsinë në favor të tyre. Skuadrat shkuan në pushim me avantazhin e Trepçës prej 32-41.
Në periudhën e tretë, basketbollistët e Prishtinës bën paraqitje mjaft të mirë, duke përmbysur epërsinë e mysafirëve.
Drama e vërtetë u zhvillua në dhjetëminutëshin e fundit. Një trepikësh i Janjevës barazoi shifrat në 75-75, megjithatë, në sekondat e fundit, mysafirët u treguan më të mirë duke e fituar ndeshjen me tri pikë epërsi 75-78.
Duhet cekur se as ky derbi nuk kaloi pa eksese, pasi që në periudhën e katërt, Trepça u tërhoq nga parketi për shkak të ofendimeve të tifozëve në adresë të Drilon Hajrizit, por pas pak minutash, ndeshja sërish rinisi.