Trepça – Ylli sonte përballen në gjysmëfinalen e Superkupës Mbarëkombëtare
Spektakli në Mitrovicë është i garantuar. Më 5 dhe 6 tetor organizohet Superkupa Mbarëkombëtare. Përveç ndeshjeve të bukura në parket, pritet një organizim i jashtëzakonshëm. Nga ora 19:00 përballen Trepça dhe Golden Eagle Ylli në ndeshjen gjysmëfinale.
Mitrovicasit luajnë pasi fituan Kupën e Kosovës, ndërsa therandasit si kampionë të Kosovës. Këto dy skuadra u përballën edhe në finale të “play-off”-it të Kosovës, ku Ylli kishte triumfuar 3:1 në serinë finale dhe u shpall kampion i Kosovës. Për Trepçën kjo do të jetë ndeshja e parë në Ligën Unike. Ndërkohë, verdhezinjtë kanë fituar edicionin e fundit të Superkupës Mbarëkombëtare dhe kishin triumfuar në edicionin e parë të Ligës Unike. Atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme, pasi interesimi është i madh.
Mitrovicasit ditë më parë organizuan për mrekulli kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe shpresojnë në një tjetër organizim madhështor për Superkupën Mbarëkombëtare ashtu siç i takon kësaj gare. Fituesi i kësaj ndeshje në finale do të përballet me Tiranën që, në fakt, është dashur të luajë ndaj Teutës, por durrsakët kanë probleme shëndetësore dhe ndeshja e parë gjysmëfinale nuk do të zhvillohet.
Finalja e madhe do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00, ku do të jetë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis. Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë dhe do të qëndrojë më 6 dhe 7 tetor.