Tri ditë e dy net nëpër bjeshkët e Pashtrikut

17 dhjetor 2019 | 11:11

LULZIM SAHITI

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (8)

Afrim Musliu, ashtu siç e njihnin për moralin e fortë ushtarak që kishte, ushtarët i qetësonte dhe u jepte kurajë se janë afër kufirit me Shqipërinë, ndërsa Baki Rashiti, me gjithë fuqinë fizike që kishte, u ndihmonte ushtarëve të tjerë për tërheqje dhe mposhtje të të ftohtit. Ndërsa Rifat Mujota herë pas here e lëshonte nga një britmë të madhe, e cila ndikonte pozitivisht tek ushtarët e përgjumur, të cilët befas këndelleshin. Luftëtarët: Veli Ballazhi, Astrit Bytyqi, Vebi Mici, Selim Selimi, Avni Shiti, Besim Qarri, Idriz Hysenaj, Hyzri Musliu kishin mbetur pak më mbrapa kolonës. Ndërkaq, rreth orës tre të mëngjesit, Afrim Musliu do t’u sugjeronte shokëve të luftës: Sadri Krasniqi, Rifat Mujota, Hyzri Salihaj, Avni Rizani, Beqir Luma dhe Shemsi Debruna, që të qëndronin këtu sepse tashmë ishin shumë afër staneve.

Ai vetë kishte thënë se po shkonte për t’i ndihmuar shokët që kishin mbetur mbrapa për t’i tërhequr, mandej bashkërisht shkojmë te stanet (në territorin e Shqipërisë), ku mund të ndiznim një zjarr për t’u ngrohur. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi! Fanari i lirisë, Afrim Islam Musliu (27) nga Belinci i Shtimes, nuk u kthye më asnjëherë. Ai kishte rënë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Ndërkaq, Baki Rashiti, Bashkim Beqaj dhe Nusret Musliu iu bashkuan kolonës, ndërsa Astrit Gafurr Bytyqi (18) nga Ferizaj, Selim Shaip Selimi (20) nga Belinci dhe Besim Sylejman Qarri (20) nga Greiçeci nuk kishin arritur të bëhen bashkë me shokë, por bien dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u shquar për trimëri të pashoqe deri në minutat e fundit të jetës. Në afërsi të tyre atë natë kishte rënë dëshmorë edhe flakadani i lirisë, Veli Beqir Ballazhi (20) nga Pusteniku. Rënia e tyre u bë dritë për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Gjatë ditës së 16 dhjetorit, Beqir Luma nga Kraishta e Lipjanit dhe Shemsi Dobruna nga Llozica e Malishevës ishin shkëputur nga shokët dhe pa ditur orientimin kishin shkuar pranë karakollit “Liken” të Ushtrisë Jugosllave. Aty e shohin një ushtar serb, i cili edhe ai i sheh dy pjesëtarët e UÇK-së që ecnin në drejtim të tij. Këta të fundit nga pagjumësia dhe lodhja e madhe mendojnë se janë duke shkuar tek ushtria shqiptare, ndërsa ushtari serb shtanget në vend dhe as që i shkonte në mendje për luftëtarët e UÇK-së që mund të jenë pranë karakollit të Ushtrisë Jugosllave. Të dyja palët kundërshtare e shikonin njëri-tjetrin pa ndërmarrë asgjë. Mirëpo për një çast, ushtarët tanë e shohin flamurin e forcave serbe dhe ndërrojnë kahun e udhëtimit. Ana armike jep alarmin në karakoll. Ushtarët e UÇK-së fillojnë tërheqjen përpjetë drejt malit me drurë të mëdhenj. Nuk kishte zgjatur shumë, e të fillonte sulmi i fuqishëm nga forcat serbe.

Zjarrit i janë përgjigjur me zjarr edhe dy pjesëtarët e UÇK-së. Shemsiu kishte futur në funksion snajperin “Sig Sauer” që kishte efekt 3500 metra, ndërsa Beqiri e shoqëronte me rafalë të pushkës automatike. Mandej, pas kësaj kishte fillua të bëhej tërheqja barkas nëpër pyll. Nga rafalët e plumbave të armikut këputeshin degët e lisave të mëdhenj që binin mbi trupat e ushtarëve liridashës. Për fat shpëtojnë nga më e keqja. Tash rifillojnë ecjen e tyre të sërishme për të gjetur shokët nga të cilët ishin shkëputur kohë më parë. Nga era e ftohtë dhe gjumi që kishte bërë në borë, Beqirit iu kishte ënjtur veshi i djathtë tej mase. Kishte marrë pamje të trishtueshme.

Më vonë dëgjojnë të shtëna armësh në anën e territorit shqiptar, të cilat kishin për qëllim të orientojnë Beqirin dhe Shemsiun drejt Staneve mirëpo tash kishin humbur besimin në vete. Nuk e dinin a janë të shtëna nga UÇK-ja apo nga pala serbe. Në fund vendosin të shkojnë në këtë drejtim. Kur arrijnë te çezma përmbi Vlahën, Beqiri gjuan një rafal automatiku në ajër për të paralajmëruar shokët për ndihmë. Kështu përfundon odiseja e ushtarëve të fundit të cilët arrijnë të mbijetojnë në natyrë në kushte tmerrësisht të rënda, pa gjumë, pa ngrohje, pa ushqim e pije.

Pllakë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të rënë në Majë të Pashtrikut

Tri ditë e dy net, Bakiu, Rifati, Bashkimi, Sadriu, Nusreti, Avniu dhe Hyzri Salihaj kalojnë nëpër bjeshkët e Pashtrikut duke lypur shtegdalje, të cilën më në fund rastësisht e gjejnë por vetëm pas tërheqjes së mjegullës. Nga lartësia e Pashtrikut, e shohin fshatin Vlahën, në të cilin me shumë mundime arrijnë në mbrëmjen e 16 dhjetorit. Pas tyre vijnë edhe Shemsiu së bashku me Beqirin, ndërkaq të fundit këtë natë kanë mbërri: Hyzri Musliu, Avni Shiti, Idriz Hysenaj dhe Vebi Mici. Kjo ditë ishte një mrekulli sesi ia dolën të mbijetojnë 13 ushtarë të lirisë në ambient të hapur dimëror pa ngrohje, pa gjumë, pa ujë e pa bukë. Mandej, për trajtim mjekësor të plagëve dhe gjymtyrëve të mërdhita që kishin pësuar nga të ftohtit e madh, i dërgojnë në Krumë e Kukës dhe më pastaj edhe në Stacionarin e UÇK-së nr. 210 në Tiranë. Atë natë nga Cahani shkon në Vlahën, tekniku mjekësor, Isuf Abazi dhe u jep ndihmën e parë Baki Rashitit, Rifat Mujotës dhe shokëve tjerë të pranishëm. Në orët e vona, për t’i parë nga afër ushtarët që kishin shpëtuar nga prita serbe, kishte shkuar së bashku me bashkëpunëtorë Azem Syla, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 VAZHDIMI I RRUGËTIMIT NËPËR KOSOVË

Me të filluar sulmi i parë i pritës armike, Ilir Popaj nga Bellacërka, Nuri Bexheti nga Tetova dhe Bajram Popaj, takojnë komandant Kapuçin, të cilin e njoftojnë se kanë vendosur të vazhdojnë rrugëtimin për në brendi të Kosovës. Meqë, Iliri e njihte mirë këtë terren, ai me shokë kishte mësyrë të ngjitej lartë në bjeshkët e Lubizhdës. Ndërkaq, Muja vazhdon rrugën përpjetë luginës për të kontaktuar përgjegjësit e grupeve të ushtarëve. Këta tre, pas një udhëtimi të gjatë që kishin bërë, dëgjojnë krismat e armëve. Bile një plumb qorr kalon ndërmjet Ilirit dhe Nuriut. Mirëpo ishte i pamundur kthimi i tyre mbrapa. Tashmë ishin te Stanet e Lubizhdës përmbi fshat. Udhëtimin e kishin bërë kryesisht natën për t’u mos u hetuar nga forcat e armikut. Rreth orës 22:00 mbërrijnë në Lubizhdë, ku vendosen në shtëpinë e Isuf Kajdomqajt.

Aty, Nuri Bexheti mundohet të kontaktojë përmes telefonit satelitor me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së mirëpo nuk arrin të lidhet në rrjet. Me siguri, forcat serbe do ta kenë ndërprerë lidhjen në këtë perimetër, ku janë zhvilluar luftimet. Deri në ora 1:00 pas mesnate kishin pushur aty dhe për shkaqe sigurie tërhiqen duke vazhduar rrugën këmbë deri në Rogovë të Hasit. Atje arrijnë në ora 5:00 të mëngjesit. Hyjnë në shtëpi të Hasit Njazi Berishës, ku në ora 7:00 Nuri Bexheti arrin të marrë në lidhje drejtorin e Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçin, me të cilin zhvillon një bisedë të shkurt për pritën serbe dhe luftën e zhvilluar por pa dhënë detaje ngase as ai vet nuk e dinte se si qenë zhvilluar ngjarjet. Ndërkaq, Thaçi veç ishte në dijeni për ngjarjet që janë zhvilluar në Pashtrik, të cilin e kishte informuar nga Kruma, Xheladin Gashi “Plaku”. Gjatë ditës, Nuriu, Iliri dhe Bajrami shkojnë në Reti, ku takohen edhe me komandant Drinin dhe diskutojnë me te rreth ngjarjeve të djeshme.

Ndërsa, pas rënies së katër bashkëluftëtarëve, ushtari Naser Leku, i vetmuar ka vazhduar rrugën kuturu drejt një fshati duke menduar gjithnjë se po shkon në Shqipëri. Në bazë të mureve të oborreve, e vëren se ka hyrë në Kosovë. Në një derë troket, ku është përgjigjur një grua e cila i tregon se ishte në fshatin Kushnin të Hasit. Ajo i rekomandon të vazhdojë tutje te një shtëpi tjetër ku aty mund të bënë zgjidhje. Sërish troket në derë të një ode hasjane. Një person ka hapur derën i frikësuar. Naseri hynë brenda dhe kërkon bukë për të shuar urinë. Mikpritësi shkon në shtëpi për të sjellë ushqim ushtarit të paftuar, mirëpo kishte hetuar që komandant Drini me disa ushtarë kishte ardhur aty pranë dhe e njofton.

Pasi ka ngrënë një copë bukë, Naseri shkon në vendin ku ishin strehuar luftëtarët tjerë së bashku me komandant Drinin. Aty kishin qenë duke ia lidhur plagën në këmbë, Mahir Hasanit. Pas pak kohe, vjen i plagosur në gishtin e madh të dorës së djathtë, Nazmi Istogu nga Polluzha (Drenas) së bashku me ushtarët: Driton Rexhepi nga Strubullova, Emin Gashi nga Klina, Sali Raci nga Jelloci Klina, Naser Morina nga Gllareva, Sylë Halilaj nga Llapçeva dhe Nexhat Haxhiu nga Kostërci (Skënderaj).

Meqë ishte rrezik qëndrimi në këtë vend, pas darke janë tërhequr me të plagosur nga Kushnini dhe kanë shkuar në Rogovë të Hasit, ku janë vendosur në një kullë. Të nesërmen në mëngjes, komandant Drini, kishte dëgjuar nga Naseri rrëfimin lidhur me luftimet e përgjakshme të zhvilluara në luginën e Pashtrikut. Tregohet se gjatë gjithë kohës sa e kishte dëgjuar atë, Drini kishte quajtur. Ndërkohë kishte ardhur ushtaraku i karrierës, komandant Nehat Basha, i cili kishte siguruar rrugën për tërheqje deri në Reti (Rahovec). (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në Larushk të…