Tri ditë zie në Tetovë
Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e sotme urgjente mori vendim për shpalljen tri ditë zie për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme.
Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave të sëmurë me Covid19, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.
Incidenti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 21:00.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, edhe një herë ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat që të presin informacionin zyrtar dhe të mos nxitojnë për të publikuar informacione të pakonfirmuara, duke paralajmëruar njëkohësisht ndihmë financiare për familjet e viktimave.
Ajo ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, por pa dhënë detaje mbi shkaqet e kësaj tragjedie.
“Është fatkeqësia më e madhe, e cila ka prekur qytetin tonë. Është e dhimbshme dhe ne të gjithë mund të flasim vetëm me dhimbje… Unë jam në kontakt me të gjitha autoritetet që janë të kyçura në procesin e hulumtimit dhe procesin e zbardhjes së rastit. Çdo informatë që e marr në mënyrë të verifikuar, të njëjtën do t’ju komunikoj me qëllim që të gjithë të jeni të informuar”, ka deklaruar Arifi.
E pyetur nëse shpërthimi ka lidhshmëri me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi ka thënë se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.