Tri enigmat e mëdha të Vettingut
Bedri Islami
Procesi i Vettingut mbi sistemin e drejtësisë është tashmë në ditët e tij të pushimit, pasi ka lënë pas vetes “kufoma” të prokurorëve dhe gjyqtarëve, thuajse gjysmën të cilët nuk e kaluan dot atë. Ishte një provim i vështirë, i pamenduar më parë dhe që, si ka qenë e ditur, i domosdoshëm.
Jorastësisht, pothuajse të gjithë krerët e sistemit, që nga ai i Gjykatës Kushtetuese, ndaj të cilit ONM po bën kundërshtimin e saj, Prokurori i Përgjithshëm dhe ndihmësit e tij të shkallës së lartë, të cilët dolën jo edhe aq befas latifondistë dhe sekserë shitblerjesh apo pronarë të zhytur në të zezë, kryetari i Gjykatës së Lartë, ndaj të cilit është e njëjta strukturë që vëzhgon, por që, si duket, më shumë do të jetë objekt i një propozimi të shefit të dikurshëm të Qeverisë sesa motivimi i profesionit, e deri më tej, tek ata që synuan të jenë pjesë vendosëse e sistemit të ri, ka pasur largime, të cilat e kanë bërë sot të jetë jashtë sistemit dy nga hallkat më të rëndësishme; Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë.
Vettingu, i cili po merrej si një shaka e radhës, më në fund po jep shpresën se kësaj here, në mos vendësit, të paktën ndërkombëtarët e kanë seriozisht dhe se janë lodhur e ngopur deri në fyt me bëmat e pashoqe të drejtësisë shqiptare.
Megjithatë, tri enigma të mëdha janë të vendosura para saj, të cilat ose do të zgjidhen duke i dhënë rrugë përfundimisht pastrimit të sistemit dhe bërjes së drejtësisë në drejtësi, ose do t’i lërë gjërat në mesin e rrugës dhe nuk do të jetë e zbatueshme ajo fjala e vjetër, “fillimi i mbarë, gjysma e punës”. Sepse gjërat mund të përmbysen.
Enigma e parë: Si është lejuar që në sistemin tonë të drejtësisë të kenë bërë ligjin, të jenë promovuar, rritur në detyrë dhe bërë koka e tij pikërisht figura të tilla, thellësisht të korruptuara. Në vendin tonë ka pasur dhe vazhdon të ketë një Këshill të Lartë të Drejtësisë, mbi të cilin ka qenë dhe është presidenti i vendit. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një institucion i cili merret posaçërisht me kontrollin e verifikimin e pasurisë. Megjithatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, më shumë në vitet e fundit, ka bërë emërime të çuditshme, ka qenë jo ajo që është pritur, një Këshill organizativ, vendimmarrës dhe ndëshkues, por këshilli i qokave, përkëdheljeve dhe kundërshtive ndaj qeverisë, duke e parë këtë të fundit jo si strukturë e drejtimit të shtetit, por armike të saj.
Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë u vendos një rrymë politike, që fare mirë mund të quhet gjingjonizëm, me frymëzim nga endësia e plepave, për një drejtësi të kapur fund e majë, shërbyese ndaj pushtetit deri në themel dhe që përmes besnikërisë së saj ka qenë jashtë kontrollit të vet shtetit, pra jashtë kontrollit të parlamentit dhe të sistemit.
Disa nga anëtarët e këtij Këshilli janë që tani jashtë sistemit, shumë prej tyre thjeshtë nga pasuria e pambuluar, të tjerë do të jenë po ashtu jashtë sistemit, sepse, si shokët e tyre, nuk mund të justifikojnë as pasurinë e deklaruar.
Në Shqipëri, sidomos pas vitit 1992, drejtësia është bërë shpata e pushtetit mbi vetë sistemin. Dua të risjell një shembull të përjetuar nga takimi i ish Presidentit Berisha, sapo ishte zgjedhur në atë post, me demokratët e Shkodrës, në teatrin “Migjeni”. Ndërsa ai po fliste për ndryshimet që do të ndodhnin, një ish i burgosur politik, Dedë Kasneci, pyeti gjithë mllef, përse qeveria dhe presidenca kishin vënë në drejtimin e njërës prej Gjykatave më të rëndësishme, një ish gjyqtar të komunizmit, i cili kishte bërë në atë qytet gjyqin e fundit politik , ku kishte dhënë dy dënime me vdekje, ish ushtarakët Rustem Tabaku dhe Enver Bicakani.
Ish-presidenti u përgjigj se njeriu i kishte ndihmuar në hartimin e statutit të partisë, të proceseve të tjera, pra u kishte shërbyer dhe shtoi, “ Kë të bëjmë, më jep, ti Dedë, disa emra dhe unë po i emëroj gjykatës”.
Ky ishte mentaliteti i demokratikasve që erdhën në pushtet; sipas shërbimit dhe nga baza. Deda ishte njeri i mirë, por nuk merrte vesh nga drejtësia, ose, në rastin më të mirë, dinte vetëm aq sa ishte marrë drejtësia me të.
A do të ketë pasoja për njerëzit që i emëruan, që i morën në mbrojtje këto gjykatës e prokurorë të korruptuar apo gjithçka do të shkojë me një mbyllje të lumtur?
Proces verbalet e mbledhjeve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë janë ende aty. Aty mund të shihet edhe sot se kush mbrojti dhe cilin, përse ishte kjo mbrojtje edhe kur gjërat ishin krejt të hapura, cilat lidhje kishin funksionuar etj.
Nëse nuk bëhet kjo, gjërat, pas disa vitesh, kur ndërkombëtarët të mos jenë më, do të përsëriten. Çdo faj që nuk ndëshkohet, ai përsëritet.
Enigma e dytë: Shumica e atyre që po largohen nga procesi i Vettingut është për pasurinë e deklaruar të tyre. Po ajo, e padeklaruara?
Pasuria është njëra nga tre kontestimet në profesion.
Çfarë ka ndodhur me dy të tjerat? A mos vallë janë ato më pak të rëndësishme se vjedhjet që kanë bërë, mashtrimet, përfitimet?
Nuk do të jetë harruar, për shembull, gjyqi i “famshëm” ndaj një trafikanti turk, i kërkuar nga drejtësia e shtetit gjerman, i cili u la të shkonte në arrest shtëpiak dhe shtëpia e tij ishte “Tek kthesa e Kamzës”.
Natyrisht trafikanti ia mbathi. Gjyqtari që mori vendimin, duke gjetur sebepe juridike të paditura, nuk mbajti asnjë përgjegjësi. Ka njeri që mendon se ai ose ajo e bëri këtë se deshi të ishte më i saktë se drejtësia e shtetit gjerman? Ka njeri që nuk e di se adresa” tek kthesa e Kamzës” do të thotë në askund?
Sa gjyqe të tilla ka pasur: me qindra. Njerëz të dërguar në gjykim për vrasje që janë lënë të lirë dhe kanë vrarë përsëri. Njerëz të politikës që, pasi kanë bërë tenderë hajdutësh të mëdhenj, janë lënë të lirë për procedurë. Vrasës në mesin e Bulevardit, për të cilët besohej një ekspertizë e detyruar se plumbat kanë bërë rikoshetë, edhe pse para tyre nuk kishte asnjë pemë?
Nëse do të kenë largime thjesht për pasuri të pajustifikuar, mbajeni mend, shumë prej tyre do të kthehen, pasi në shkallën tjetër ato do të jenë më të përgatitur për të mashtruar dhe se, rruga tjetër, Gjykata e Strasburgut, nuk do të jetë kaq e ashpër, sepse nuk i shkon në mendje se gjyqtarët e prokurorët tek ne janë nga fisi i peshkaqenëve të mëdhenj.
Enigma e tretë: Çfarë do të bëhet me ato që po largohen nga sistemi i drejtësisë?
Do i mbajnë pronat që i vunë përmes vjedhjes dhe korruptimit? Do të shkojnë rehat në shtëpitë e tyre dhe me kaq mbaroi gjithçka?
Një Vetting që vetëm largon, pa u shoqëruar me një “Vetting” që ndëshkon është vetëm gjysma e rrugës.
Askush nuk dëshiron të mbesë në gjysmën e rrugës, vetëm me përjashtim të atyre që na e bënë rrugën e drejtësisë një rrugë ferri.