Tri familje të Podujevës bëhen me shtëpi të reja
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ua kanë dorëzuar tri familjeve llapjane çelësat e shtëpive të reja, të ndërtuara nga kjo shoqatë në bashkëpunim me komunën.
Çelësat e shtëpive, kryetari Bulliqi dhe humanisti Kastrati, ua dhuruan familjeve të Gazmend Musollit në Shajkoc, Sami Tahirit në Kaqybeg dhe Fehmi Mehmetit në Halabak, të cilat janë ndërtuar nga marrëveshja e nënshkruar më herët mes Komunës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
Kryetari Bulliqi i uroi familjet përfituese, duke shprehur kënaqësinë që ato u vendosën në shtëpitë e reja në vigjilje të muajit të madhërishëm të Ramazanit. “Bashkë me hoxhën Kastrati do të vazhdojmë angazhimin tonë për të zgjidhur çështjen e strehimit për familjet në nevojë”, ka thënë Bulliqi, duke shprehur mirënjoheje për të gjithë donatorët.
Krahas dorëzimit të çelësave për tri familjet përfituese, kryetari Bulliqi dhe humanisti Kastrati, kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për ndërtimin edhe të dhjetë shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.