Tri ftesa të refuzuara, një urdhër i shpërfillur – Kurti vazhdon aktivitetet duke e konsideruar të panevojshme paraqitjen në Prokurori

13 mars 2025 | 17:46

Tri ftesa të Prokurorisë të refuzuara dhe një urdhër i Gjykatës i shpërfillur. Kryeministrit Albin Kurti vazhdon t’i duket e panevojshme paraqitja e tij para organit të specializuar të ndjekjes. Ai është “i hapur dhe bashkëpunues” vetëm për institucionet që Kurti vlerëson se veprojnë “në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë”.

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon normalisht aktivitetet e tij 10 ditë pas datës kur do të duhej të ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale për ta dhënë dëshminë e tij si dëshmitar në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Zyrës së tij iu desh ta bënte një reagim disa ditë pasi Kurti refuzoi edhe urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur më 4 mars në Prokurorinë Speciale dhe në vend të kësaj zgjodhi të shkonte në të njëjtën kohë te “Livadhet e Arapit” një lagje të Gjilanit ku u vu gurthemeli i një çerdheje.

Pasi refuzoi tri ftesa të Prokurorisë dhe e shpërfilli edhe urdhrin e Gjykatës, Kurti e konsideron të panevojshëm kërkesën për ta pasur atë në organin e specializuar të ndjekjes për intervistim. Dëshminë e tij, ai e konsideron pa ndikim në thelbin e çështjes.

“Gatishmëria dhe vullneti për të dhënë dëshmi është ofruar në disa raste dhe në kohë të ndryshme në Zyrën e Kryeministrit. Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”, thuhej në reagimin që ZKM e bënte lidhur me “debatin publik mbi një çështje që nuk duhet të ishte politizuar”.

ZKM tha se “mbetet e hapur dhe bashkëpunuese” me çdo institucion që Kurti vlerëson se “vepron në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë”.

Gjykata Themelore e kishte pranuar një kërkesë të Prokurorisë Speciale që ta urdhëronte kryeministrin që të paraqitej në cilësinë e dëshmitarit, pasi ai kishte refuzuar tre herë radhazi që të shkonte atje për t’iu përgjigjur prokurorëve. Departamenti Special i kësaj gjykate e obligoi Kurtin që, siç thanë nga gjykata “të paraqitet në cilësi të dëshmitarit për të dhënë dëshminë e tij”.

Shefi i Qeverisë sikur vendosi t’i testojë edhe një herë organet e drejtësisë, nga të cilat nuk është parë ndonjë lëvizje pasi Kurti refuzoi edhe urdhrin gjyqësor.

Zyra e Kryeministrit ia kishte dërguar një letër Themelores, në të cilën i kërkonte asaj të merrte parasysh faktorë si “pikëpamja institucionale dhe respekti për pozitën e Kryeministrit”, pasi ai “është përfaqësuesi më i lartë ekzekutiv i shtetit”.

Për herë të parë Prokuroria Speciale e ftoi Kurtin të dëshmojë në dhjetor të vitit të kaluar. Që atëherë, kryeministri ka refuzuar edhe dy ftesa të tjera, duke përsëritur se është i gatshëm ta bëjë këtë në zyrën e tij, një praktikë që sipas tij është ndjekur edhe më parë.

Prokuroria Speciale nuk ka treguar nëse i ka dërguar sërish ftesë, apo çfarë do të ndërmarrë për ta siguruar dëshminë e tij.

Alternativat e Gjykatës

Gjykata i ka tri alternativa për të vepruar më tutje, siç i ka thënë Gazetës Express ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani më 20 shkurt.

“Me kërkesë të prokurorit, Gjykata i ka këto mundësi, i ka tri alternativa: ta detyrojë me forcë të paraqitet, ta gjykojë me gjobë ose eventualisht nëse paraqitet në gjykatë por hesht, atëherë gjykata e ka mundësinë e tretë – caktimin e paraburgimit derisa ai të bindet të flasë, por jo më tepër se 1 muaj”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi e ka përmendur gjobën si masën e parë që parashihet të merret nëse Kurti nuk paraqitet në prokurori as pas urdhërit të gjykatës.

“Në bazë të ligjit kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri në dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet. Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset”, ka thënë Ehat Miftaraj.

Prokuroria Speciale po heton dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Në verën e vitit 2023, tre persona, përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dhe afaristin Ridvan Muharremi ishin arrestuar. Në MINT ishin kryer edhe bastisje.

Në prill të vitit të kaluar, ministrja Rozeta Hajdari u intervistua në cilësinë e të dyshuarës. Në Prokurorinë Speciale, ajo ishte i mbrojtur në heshtje.

Prokuroria thotë se shteti kishte paguar rezerva shtetërore të cilat nuk kishin ardhur, duke e dëmtuar buxhetin për mbi 600 mijë euro.

Sipas organit të specializuar të hetimit dhe ndjekjes, ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

MINT, sipas Prokurorisë, kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar. Një pjesë e sasisë së kontraktuar të rezervave dyshohet se nuk arriti në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ben Blushi Rrëmbimi i Zelenskyt nga Evropa i ngjan shumë…