Tri gjëra të rëndësishme në Kosovë
Shkruan: Bedri Islami
1. Sido që të analizohet, e verteta mbetet një, Albin Kurti, pas 15 viteve në politikë aktive, herë të ashpër, herë agresive, më shumë të mënçur dhe progresive, e tundi klasën politike në Kosovë.
Kosova dhe klasa e saj politike e kishte të domosdoshme të tundej!
Ishte imperativ e kohës dhe Ai e bëri këtë.
Këtë mund ta bënte vetëm Lëvizja!
Forcat e tjera politike shin atrofizuar!
Duheshin shkundur. Ajo që ndodhi me 14 shkurt ishte një duet pasionant mes iderit të Lëvizjes dhe Njerëzve në Kosovë.
Të jesh apo jo një mendje me Albin Kurtin, kjo është tjetër gjë.
E rëndësishme është të pranohet e vërteta dhe opozita duhet ta pranojë këtë që të rilindë!
2. Historia e demaskimit të së keqes mbaroi. Tani duhet shkulur e keqja! Besimi i është dhënë për të shkulur të keqen!
Nuk është e rëndësishme nëse Ai kërkon që të tre institucionet themelore të shtetit të jenë nga fituesit e zgjedhjeve.
Mënyra se si i kërkon mbetet e rëndësishme!
Mënyra se si do të veprojnë këto institucione i takon së ardhmes!
Ndaj opozita duhet reformuar që të jetë në gjendje të bëjë kontrollin e duhur!
Momenti kur opozita nuk e pranon rolin e saj dhe sjell mohimin do të thotë se ajo e ka të vështirë të reformohet!
3. Nëse Kosova kalon në zgjedhje të reja, për shkak të mos zgjedhjes së presidentit apo presidentes së saj, megjithëse përsonalisht nuk më sjell risi figura e Vjosa Osmanit, atëherë do të kemi një shkundje tjetër!
Nëse ndodh kjo atëherë më shumë se gjysma e banorëve që janë në Kosovë do të marrin me vete edhe pjesë të tjera dhe Lëvizja do të konfirmohet determinuese e pazakontë.
Nuk do të dihet nëse kjo do i sjellë dobi asaj, por e di fare mirë se opozita do të tkurret edhe më shumë.
Duhet pranuar e vërteta, edhe atëherë kur tingëllon e ashpër!
Në fakt, sot për sot, Lëvizja VV nuk ka kundërshtarë, ka vetëm njerëz që bëjnë sikur e kundërshtojnë!
Pres me padurim ringritjen e PDK-së.