Tri grupimet bllokuese të punës së Kuvendit
I ndarë në tri grupe të deputetëve, Kuvendi i Kosovës, po rrezikon seriozisht funksionimin.
Bllokada e vendimmarrjes në Kuvend ka nisur që nga fillimi i mandatit të këtij institucioni. Por, kohët e fundit, ndasitë duket se kanë paralizuar tej mase organin më të lartë ligjvënës në Kosovë.
Partitë në pushtet, llogaritur ato shqiptare dhe pakicave joserbe, përbëjnë një grup prej 49 deputetësh, që nuk paraqet shumicën. Ky fakt, vlerësohet se paraqet një precedent, pasi që koalicioni qeverisës nuk përbën shumicën në Kuvend.
Partitë opozitare, në anën tjetër, numërojnë 56 deputetë, që po ashtu nuk paraqet shumicën për ta sfiduar qeverinë.
Kurse në mes, qëndron grupi prej 10 deputetësh i Listës Serbe, i cili në Kuvend rreshtohet si opozitë më vete dhe voton vetëm ato ligje e vendime që i sheh se janë në interesin edhe të komunitetit serb.
Ndërkohë, 5 deputetë janë pa grup parlamentar.
Nisur nga kjo gjendje, as pushteti dhe as opozita nuk mund të funksionojnë qoftë pa një marrëveshje mes vete apo pa marrëveshje me Listën Serbe.
Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, në Prishtinë, Agron Bajrami rikujton se partitë në pushtet që nga formimi i qeverisë ishte ballafaquar me minimumin e votave. Ndërkohë që edhe opozita, ka thënë ai, ka një numër të madh votash, por ato nuk i mjaftojnë për ta sfiduar qeverinë.
“Numri i votave të koalicionit qeverisës në Kuvend është në kufij të shumicës. Në anën tjetër kemi një opozitë e cila në numra është e fortë, por nuk e ka fuqinë sepse edhe vet nuk është e bashkuar. Janë tri parti opozitare në Kuvend të cilat jo gjithmonë janë në një vijë. Kjo e bën gjithë Kuvendin jofunksional në shumicën e rasteve”, ka thënë Bajrami për “Radion Evropa e Lirë”.
Gjendja aktuale në Kuvend, sipas deputetes opozitare nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila vjen si pasojë e ndikimit të presidentit Hashim Thaçi që ka te një pjesë e deputetëve.
“Nëse shikohet funksionaliteti i shtetit, ne jemi një shtet presidencial diktatorial. Sot gjithçka në Kosovë është duke u vendosur me diktat të Hashim Thaçit. Ai kontrollon pushtetin në tërësi, deputetet e pozitës, vendos vet për shkëmbim të territoreve…”, ka theksuar Kusari-Lila.
Partitë politike shqiptare, si nga pushteti ashtu edhe opozita, nuk kanë arritur të vendosin një komunikim dhe koordinim të punës me deputetët e Listës Serbe, votat e të cilëve, në shumë raste do të ishin vendimtare për vendimmarrje. Afërsia e kësaj Liste me politikën zyrtare të Beogradit, i mbanë në distancë subjektet politike shqiptare.
Si rezultat i gjendjes faktike pa një shumicë në Kuvend, së fundi partitë në pushtet dështuan ta formojnë ekipin negociator për dialog me Serbinë. Ndërkohë që opozita dështoi të miratonte rezolutën për t’i sanksionuar presidentit të Kosovës mundësinë që në dialog me Serbinë të hapë ndryshimin e kufirit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se shumica nuk mund të luajë lojën dhe agjendën e opozitës.
“Është e pakuptimtë që agjenda opozitare të jetë agjendë të cilës ne i përgjigjemi, përderisa agjendës shtetërore ata nuk i përgjigjen”, ka thënë Krasniqi.
Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca mendon se Kuvendit po i dështojnë seancat, sepse po bojkotohet nga shumica.
“Vetëm në Republikën e Kosovës mund të ndodhë që pozita, mazhoranca t’i bojkotojë seancat e Kuvendit. Kjo nuk ndodhë askund në botë”, kishte shprehur habinë e tij deputeti Konjufca.
Përderisa një gjendje e tillë bllokade po vazhdon, Agron Bajrami parasheh se në fund, zgjidhja do të mund të kërkohet sërish përmes zgjedhjeve të parakohshme, siç është vepruar edhe në legjislaturën e kaluar.
“Me këtë konstalacion Kosova zor se mund të funksionojë, Kjo nuk ka të bëj me presidentin i cili përçanë partitë politike, por ka të bëj me paaftësinë e partive politike që të ndërtojnë pozicionim parimor rreth çështjeve që janë prioritete apo të rëndësisë së madhe. Kjo padyshim që do të na çoj në një moment kur sërish do të shfaqet nevoja që kriza të zgjidhet me zgjedhje të reja”, ka deklaruar Bajrami.
Si pasojë e dinamikës së ulët të punës në Kuvendin e Kosovës, më shumë se gjysma e ligjeve që ishin të parapara të miratohen në sesionin pranverë – verë, janë bartur për miratim në sesionin e vjeshtës.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit, gjatë vitin 2018 janë miratuar 26 ligje, 48 janë në procedurë të shqyrtimit, kurse edhe 62 të tjerë që janë paraparë në agjendën legjislative pritet të dërgohen në Kuvend.