Tri herë dështoi konstituimi i Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, ja deputetët që po e sabotojnë punën
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore nuk ka mundur të konstituohet as të martën, për të tretën herë, për shkak të mosprezencës së deputetëve të pozitës.
Eugen Cakolli nga KDI-ja ka treguar përmes një videomesazhi se kush janë gjashtë deputetët e pozitës të cilët e kanë sabotuar punën e Komisionit hetimor për “rezervat shtetërore”.
“Këtë javë ka dështuar për herë të tretë radhazi konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e rezervave shtetërore pavarësisht votës së 69 deputetëve për, një kundër dhe 6 abstenime. Sërish shkak i dështimit të mbledhjes konstituive ishte mungesa e gjashtë deputetëve të shumicës parlamentare, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba, Erxhan Galushi që udhëhiqet nga LVV-ja. Megjithatë fuqia politike në Kuvend, nuk duhet të shndërrohet në arsye për qeverisje jotransparente e jo-llogaridhënëse e cila saboton proceset parlamentare, që janë në funksion të qeverisjes së mirë e pa korrupsion. Vetëm duke mundësuar konstituimin e këtij komisioni dhe përmbushjen e mandatit të tij deputetët do të mund të kontribuojnë në heqjen e të gjithave dilemave mbi aferat potenciale korruptive dhe do të rrisin besimin e publikut në institucione dhe në qeverisje”, ka thënë Cakolli.