TRI HILETË E PRESIDENTES NË DY ADRESIMET E FUNDVITIT 2021

08 janar 2022 | 11:34

Kam përcjellë me vëmendje dy adresimet e Presidentes më 30 dhe 31 dhjetor 2021. Nuk kam shkruar deri më tash, sepse prisja se ndonjë analist apo ndonjë opinionist do të merrej me to.

Me sa duket, nga që problemet jo vetëm që nuk po shkojnë duke u zgjidhur e duke u pakësuar (kriza e madhe e energjisë elektrike, rritja e çmimeve, shtimi i varfërisë, papunësia etj.) po përkundrazi, po shkojnë duke u shtuar dhe duke u shfaqur gjithnjë probleme më të mprehta e më serioze (si ajo e ligjit të konfiskimit të pasurisë, e vetingut, ligjit të pagave etj.), nuk kanë pasur mendjen fare te adresimi i Presidentes.

Dhe sigurisht, adresimi i saj nuk është diçka e pazakontë, sepse të gjithë presidentët e Kosovës gjithherë e kanë bërë këtë. Të pazakonta, thënë me mirësjellje, ishin tri hiletë që përvidheshin në këto dy adresime, hile të cilat meritojnë vëmendje.

Gjuha kontaminuese e Presidentes

Më 30 dhjetor, Presidentja e bëri adresimin e saj për Ditën e Veteranit. Kjo, po, ishte diçka befasuese, përnjëmend e habitshme!

Natyrisht, e kishte fjalën për vetaranët e UÇK!

Përderisa pjesa dedikuese ishte e mirëformuluar, fjalia e fundit, ku ajo pretendoi të thoshte dicka të madhe, të jashtëzakonshme – shpalosi një përmbajtje të kontaminuar: “Përulem para të gjithë atyre veteranëve, të cilët atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha!”

Po ku qëndron kontaminimi përmbajtësor i kësaj sentence?

Së pari, ajo qëndron te “nderimi” që Presidentja pretendon se ua bënë veteranëve të luftës. Ky “nderim” i Presidentes është fake, sepse pikërisht ajo, që nga ardhja në detyrë si Presidente, është personi që i ka goditur, kurdo dhe kudo që ka qenë në kompetencë të saj veteranët, thuaja në çfarëdo posti shtetëror që kanë pasur. Nëse zbërthehet, “nderimi” i Presidentes për veteranët ka këtë kuptim: godit pa mëshirë veteranët që kanë emra e mbiemra, kurse e lavdëron “veteranin” si emër abstrakt, në kuptimin që nuk referon edhe te emrat konkret të pjesëtarëve të UÇK!

Sv dyti, cilësori i saj se kush janë veteranë! Ajo, qoftë si juriste e qoftë si politikane, duhet ta dijë se veteranët nuk caktohen me dekret e as me emërime sipas vlerësimeve apo shijeve të ndokujt, qoftë fjala edhe për Presidenten, por ata e fitojnë këtë emër nderi, lavdie e krenarie me pjesëmarrjen në luftën çlirimtare dhe ky fakt është i patjetërsueshëm. Ata janë veteranë të një lufte të caktuar dhe pikërisht të luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Secili pjesëtar i UÇK, pavarësisht pozitës që kishte, ishte vullnetar, sepse UÇK ishte ushtri e dalë nga populli dhe e krijuar në luftë e sipër kundër pushtuese Serbi; domethënë nuk kishte asnjë pjesëtar që pavullnetshëm, nga mobilizimi i detyrueshëm e i dhunshëm që është shtrënguar të bëhet pjesëtar i UÇK. Na pëlqyen apo jo emrat konkret të ndokujt, nëse kanë qenë pjesëmarrës në luftën çlirimtare – ata apo ato janë veteranë, respektivisht veterane. Kur flitet për luftën çlirimtare nuk ka kualifikim tjetër për veteranin përpos pjesëmarrjes aktive në fushëbeteja për çlirim. – Apo ndoshta, ata që janë aktivë në politikë, dhe ata që kishin ndonjë post në shtet, nuk ishin veteranë, që meritojnë të nderohen si veteranë!?

Së treti, gjuha përcarëse: “Përulem para të gjithë atyre veteranëve të cilët, atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha!”! Shihe dinakërinë! Pasi i mbuloi me lavdata, inflitron insinuata. Ajo ushqen ndasi, Sugjeron etiketime në stilin “ti atëhere e ke pasur atdheun mbi të gjitha”, porse “tash nuk e ke atdheun mbi të gjitha”. Në fakt, ajo nuk e sqaron se çka nënkupton “ta kesh atdheun mbi të gjitha”. Nuk është cudi që të dale dhe ndonjë xhevahir nga ajo si pvrcaktim i standardeve se kush qenkan veteran e veterane e kush jo, kush e duaka atdheun e kush jo!

Prandaj unë, si veteran, nuk e besoj aspak Presidenten, në ato që tha, sepse më shkaktoi alergji gjuha e saj e kontaminuar,

Ndaj zhurmojnë si fjalë të vëna me zor në artikulimin e saj, si amputime anemike, tingëllimën e kanë krejt aliene!

Fjalori sugjestionues që përdori ajo ndaj veteranëve nxjerr në pah se ajo dëshiron ta kultivojë frymë përçarëse edhe ndër veteranët!

Kujdes, nga “nderimi” dhe “përulja” e Presidentes, se e ka me sherr!

Nga këndvështrimi im, ky nuk është shkëlqim, por mjerim, sepse Presidentja do të duhej, edhe sipas Kushtetutës, të përçojë frymë uniteti, e jo të përdorë gjuhë kontaminuese!

Gjuha selektive dhe diskriminuese e Presidentes

Mua më bëri t’i hapë sytë kontaminimi i përmbajtjes me ndajshtesat ndaj veteranëve dhe të shquaj hilenë e Presidentes. Unë do të doja që ajo njëmend të ishte e sinqertë, të paktën që nga adresimi për veteranët më 30 dhjetor 2021e në vazhdimësi, sigurisht jo aspak për konsideratën personale, sepse ajo tek unë e ka maskën e çjerrur, por sepse ndryshimi i bindjes pro luftës çlirimtare është shenjë e një kthese substanciale të Presidentes drejt njohjes së vlerës themelore mbi të cilën ngrihet liria, pavarësia dhe Republika e Kosovës.

Se ajo nuk është e sinqertë jo vetëm me veteranët, hiç më larg se një ditë më von, pikërisht më 31 dhjetor 2021, vetë ajo e konfirmoi, me rastin e adresimit qytetarëve të Republikës për Vitin e Ri 2022.

Në adresimin e saj festiv Presidentja mbajti qëndrim selektiv ndaj disa kategorive, gjë që nuk do të duhej të ndodhte. Ajo i përmendi me vend disa kategori institucionale e sociale, e disa të tjera krejt pa vend nuk i zuri më gojë!

Fjala vjen, një ditë më parë ajo “i nderoi” dhe “u përul” para veteranëve, një ditë më pas i harroi fare! Nuk i përmendi as si emër veteranët, ani se ky ishte një adresim tjetër nga ai i djeshmi, dhe do të ishte ekuilibruese vetëm të përmendeshim. Apo ndoshta ajo e “lau gojën” një ditë më parë, dhe tashmë nuk duhej më t’ua zinte në gojë as emrin veteranëve!?

Edhe më shumë, ajo nuk i përmendi as invalidët e luftës çlirimtare, ata që kanë humbur gjymtyrët e tyre, edhe për të festuar në liri Vitin e Ri!

Nuk i përmendi as dëshmorët e familjet e tyre, ata që ranë në fushëbeteja duke dhënë jetën e tyre që Kosova të mund të bëhej shtet, dhe Presidentja t’u drejtohej bashkëshorteve, fëmijëve, prindërve, motrave e vëllezërve të tyre me mirënjohje!

Nuk i përmendi as viktimat civile të luftës, ndaj të cilëve ushtroi gjenocid Serbia pushtese, krime të cilat e tronditën botën demokratike e liridashëse, dhe familjarëve të tyre do t’u vinte si ngushëllim mos harrimi i tyre nga e para e vendit, pasi që në themel të pavarësisë janë edhe jetët e tyre!

Presidentja nuk i përmend as gratë e vajzat e dhunuara gjatë luftës, e pra dhunimet ishin strategji e luftës morale e psikologjike për të degraduar integritetin e qenieve të pambrojtura shqiptare!

Presidentja harroi edhe kategori të tjera sociale, të cilat do të duhej të përmendeshin, gjithsesi, meqë ishte adresimi i saj i parë si presidente, gjë që ishte një rast ideal të tregohej përbashkuese e jo selektive dhe diskriminuese!

Si është e mundur, vallë, të “harroheshin” ata, që një ditë më parë “i nderoi” dhe “u përul” para tyre?

Përgjigja e thjeshtë është se ajo nuk e kishte me sinqeritet, përndryshe do t’i listonte si kategori, sepse ata janë meritor të përmenden jo një herë në vit, po në çdo adresim, pasi që ngërthejnë vlerat themelore të shtetit tonë.

Kursi i anashkalimit të SHBA-së

Duket se është stil i Presidentes që njëherë të thotë gjëra që ngrisin diçka në piedestal (kujto, thënien se ne jemi “populli më pro-amerikan në botë”) e pastaj të mos e zëjë as në gojë fare!

Kur adresohen aspekte të politikës së jashtme, qoftë edhe në një adresim për Vitt të Ri, bëhet për të dërguar mesazhe të qarta në botë për konsistencën e partneritetit, ose e kundërta – për të paralajmëruar ndryshim kursi.

Çfarë kumtoi Presidentja!?

Ajo, ndër të tjera, falënderoi “aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Për ata që nuk janë të vëmendshëm, mundet të ju shpëtojë stisja enkas për të krijuar perceptimin e njëjtësimit të aleatëve për ta ushqyer opinion relativizues.

Çka mungon në këtë formulim?

Mungon qartësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Befas, për ne janë bërë të gjithë njëlloj! “Aleatët tanë ndërkombëtarë” duket gjithëpërfshirës, por nuk është gjitherë e goditur përdorimi i termave përgjithësues sepse shprehin një shlyerje distance, peshe, roli dhe faktori kyç, duke i paraqitur të gjithë njëlloj.

Sigurisht, Kosova vlerëson të gjitha vendet që e kanë njohur, që e mbështesin dhe që i kemi aleatë. Absolutisht, po. Por, askush nuk e zë dot dhe nuk mund të barazohet me SHBA-në!

Dhe pikërisht SHBA-në e anashkalon, nuk e përmendi fare, mjeshtërisht Presidentja!

Të jetë kjo një harresë tjetër!? Apo Presidentja po dëshiron të “rebelohet” në mënyrë të tërthortë dhe t’i tregojë SHBA-së se ajo mund t’ia luajë lojën, duke i injoruar e kështu t’i detyrojë t’ia kthejnë kamerat!!!?

E pra, e gjithë bota e di se krahas rezistencës sonë kombëtare që kulmoi me UÇK dhe luftën çlirimtare, Kosova e fitoi lirinë, mbi të gjitha, për shkak të mbështetjes vendimtare dhe konsistente të SHBA-së dhe të aleatëve të saj!

E dinë, miq e armiq, se SHBA është vendi pa të cilin as sot Kosova nuk do të mund të ishte kjo që ështe – një Republikë e pavarur!

Prandaj, nuk ka asnjë arsye të vetme, që të relativizohet ky specificitet i Kosovës me SHBA-në, sepse asgjë nuk e ndihmon Kosovën, e pra mundet ta dëmtojë! Përkunrazi, ai duhet të theksohet si një bekim për Kosovën!

Dhe, krejt në fund, Presidente, këto tri hile që i observova dhe i theksova më sipër janë akrobacione, respektivisht manovrime të kamufluara, që shprehin përpjekjet tuaja për të tjetërsuar vlerat themelore por që nuk do të pijnë ujë për aq kohë sa Kosova të jetë një Republikë demokratike, e dalë nga rezistenca kombëtare që kulmoi me luftën tonë çlirimtare, dhe me partneritetit të pazëvendësueshëm me SHBA-në!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditën e nesërme para selisë blu zhvillohet protesta klundër kryedemokratit…