Tri klube nga Shqipëria në garë për Jashanicën
Bajram Jashanica përfundon kontratën aktuale me Ballkanin në fund të muajit të ardhshëm dhe në këto kushte, ish-mbrojtësi i Skënderbeut është në dyshime për të ardhmen e tij. Drejtori sportiv i kampionëve të Kosovës, Nderim Nexhipi, ka thënë për gazetën, se Ballkani do ta provojë rinovimin me 31-vjeçarin. Por nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Panorama Sport” mëson se për mbrojtësin ka interesim edhe nga Partizani, që e ka përcjell prej kohësh lojtarin nga Prishtina. Gjithsesi, edhe Tirana e Kukësi po provojnë firmën me mbrojtësin, i cili, edhe pse iu desh të pushonte pas atij pezullimi të famshëm, është kthyer në nivele të larta.
Ai ishte një nga shtyllat e ekipit nga Suhareka në këtë sezon, teksa tashmë mbetet të shihet nëse do të dojë të rikthehet të luajë në Kategorinë Superiore, ku arriti kulmin e karrierës apo oferta e Ballkanit do ta bindë të vazhdojë në Superligën e Kosovës. Jashanicës i duhet të vendosë shpejt për të ardhmen, pasi tri nga katër klubet e interesuara janë drejt kualifikimit në kompeticionet evropiane.