Tri komuna mbesin pa buxhet, rrezikohen disa projekte dhe pagat

30 prill 2025 | 08:01

Për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, Komunës së Prishtinës, e Gjilanit dhe e Zubin Potokut ende nuk u është ndarë buxheti i këtij viti. Si rrjedhojë, thuhet se realizimi i projekteve të parapara për sivjet po rrezikohet, njëkohësisht edhe pagat e komunarëve.

Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës i ka lënë tri komuna pa buxhet. Komunës së Prishtinës, asaj të Gjilanit dhe të Zubin Potokut nuk u është alokuar ende buxheti i këtij viti.

Kjo pasi këto tri komuna kishin votuar me vonesë buxhetet komunale, tek pasi Kuvendi kishte miratuar buxhetin e Republikës për sivjet.

Në mungesë të buxhetit, asnjë nga këto komuna nuk po mund të nisin realizimin e projekteve të parapara për sivjet.

Për këtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me një letër Ministrisë së Financave.

Ai ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë në mënyrë që të parandalohet një krizë e thellë financiare e ekonomike.

Për mosalokimin e buxhetit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ia ka lënë fajin kuvendit komunal.

Kjo pasi, sipas Hysenit, në kuvendin komunal buxheti ka kaluar me vonesë.

“Nuk ka qenë rastësi që buxheti i komunës tonë për vitin 2025 është votuar pas zgjedhjeve nacionale. Sepse ata që kanë përvojë në institucionet tona e dinë një gjë, se kur votohet një ligj në kuvendin e Republikës të Kosovës siç është ligji i buxhetit,  ai është i barazvlefshëm me të gjitha ligjet tjera, praktikisht është i vlefshëm për një periudhë të caktuar. Për shkak të mos votimit të buxhetit në Gjilan, në tetor apo nëntor kur është votuar buxheti i Republikës së Kosovës, në ligjin e buxhetit komuna ynë figuron me buxhetin e vitit 2024. Edhe kodet, projektet tona janë të gjitha të vitit 2024. Ne e kemi votuar buxhetin në vitin 2025, që i bie për plotësim dhe ndryshim të ligjeve, duhet procedura e njëjtë sikur e aprovimit”, ka theksuar Hyseni.

E në rast se nuk u alokohet buxheti sa më shpejt, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se zyrtarët komunalë rrezikojnë të mbesin pa paga. Ai deklaroi se janë duke funksionuar me 1 të 12-ën e buxhetit të vitit 2024.

RTK ka kërkuar informacione edhe nga Ministria e Financave, por nga e njëjta nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Qeveria e ka të pamundur të dorëzojë kornizën afatmesme të shpenzimeve, e cila parashihet që t’i dorëzohet Kuvendit jo më larg se data 30 prill.

Po ashtu, Murati u shpreh se mungesa e një kuvendi funksional e vonon edhe ndarjen e granteve komunale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së…