Tri komunat regjionale nënshkruajnë marrëveshje për menaxhimin e integruar të mbeturinave
Komuna e Mitrovicës së bashku me dy komunat tjera të regjionit ajo e Vushtrrisë dhe Skenderajt kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit ndër-komunal për inicimin e menaxhimit të integruar të mbeturinave.
Nënshkrues të kësaj marrëveshje ishin nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
Me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga GIZ-i, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, kryesuesja e Kuvendit të Vushtrrisë, Melihate Basholli dhe kryesuesja e Kuvendit të Skenderajt, Adelina Spahiu, drejtorë të Drejtorive Komunale për Mbrojtje të Mjedisit, si dhe zyrtarë tjerë komunal.
Qëllimi kryesor i memorandumit të mirëkuptimit është krijimi i kushteve bazë për komunat drejt themelimit të sistemit regjional për menaxhimin e integruar të mbeturinave përmes bashkëpunimit ndërkomunal.
Gjithashtu vlen të potencohet se draft-memorandumi është përgatitur dhe mbështetur nga GIZ-i gjerman, të cilët në vazhdimësi ofrojnë përkrahjen e tyre ndaj komunave në përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave.