Tri projekte madhore për Shtime afër përfundimit
Stadiumi i Qytetit, Shtëpia e Përshpirtshme dhe Palestra Sportive, janë këto tri nga projektet madhore për qytetarët e Komunës së Shtimes, në të cilat aktualisht edhe po zhvillohen punimet. Për të parë nga afër këto punime, Hajrulla Çeku, ministër i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i vizituan këto projekte të cilat do t’i japin dimension kulturor e sportiv krejtësisht të ri Shtimes.
Me këtë rast, ministri Çeku, ka thënë se po punohet me vendosmëri në konsolidim të infrastrukturës sportive në gjithë vendin. “2.4 milionë euro janë paraparë vetëm që ky stadium të jetë i nivelit profesional. Ky projekt synon modernizimin e infrastrukturës së futbollit në këtë qytet”, ka thënë Çeku.
Ndërsa, kryetari Aliu ka deklaruar se, Stadiumi i Qytetit po merr formën e tij përfundimtare dhe së shpejti do të jetë shtëpia e re e sportistëve e sportdashësve tanë. Shtëpia e Përshpirtshme është hapësira që do të shërbejë për aktivitete rinore që do t’i japin energji e gjallëri të paparë Shtimes, ndërsa Palestra Sportive do të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe fizike për të gjitha grupmoshat në Komunën tonë.
“Me punë të palodhur e përkushtim maksimal ndaj cilësisë, po përmbushim çdo premtim e po i realizojmë të gjitha punët e mira në shërbim të qytetarëve tanë siç ishim zotuar para tyre”, ka thënë kryetari Aliu.