
Tri proza poetike nga Sali Bashota
Sali Bashota
LUMTURIA E PËRSOSUR
– Nuk duhet të imagjinojmë më, – tha një ditë gruaja që i shtrinte rrobat e bardha në ballkonin e ndërtesës së vjetër. Ajo zakonisht gjithmonë rrinte me gojë mbyllur dhe sikur mijëra mendime vlonin në kokën e saj. Kjo qe intuita e parë e Rrëfimtarit të çasteve të dehura derisa i përpunonte të dhënat për lojën e ngrohtë të ndjenjave, sidomos pasionin për t’i dëgjuar rrëfimet e imagjinuara të dashurisë.
Sigurisht duhet trajtuar me kujdes praninë e lumturisë së përsosur, sidomos përfytyrimin e arsyes, pse njeriu ka nevojë të mburret me mirësinë e shpirtit. Për shembull, si do të arrinim në majën e asaj kodrine duke pëshpëritur vetëm fjalë të mira apo duke zënë me dorë dehjen e ëndrrave të bukura, ndonëse ngrohtësia e përshëndetjeve nuk kishte të bënte aspak me harrimin, as me etjen e fshehur në lojën e mashtrimit.
Kur e mbaroi krejt rrëfimin, sikur u shndërrua në një njeri tjetër.
BOTA AREALE
– Nuk duhet t’i imitojmë më instinktet e pabarabarta të shpirtrave, – tha ditën tjetër gruaja që mendonte ndryshe nga shitësja e luleve në qytetin e rrethuar me blirë.
U zgjua dhe i preku me dorë xhamat e avulluar të dritareve. Humbi përpara avullit dhe filloi t’i fërkonte sytë. Nuk shihte asgjë tjetër pos vetvetes. Aty fillonte fundi i pritjes. Ngadalë nisi letërkëmbimin me Rrëfimtarin e çasteve të dehura, pa e vrarë mendjen se gjysmën e gishtërinjve i kishte të mpirë nga lodhja.
– Nuk e di si mund të përplasen ndjenjat dhe mendimet në këtë botë, – pëshpëriste prapë në vetvete. Përballë dritares shikonte kalimtarët e rastit të cilët ecnin duke i bartur kujtimet e tyre deri në drejtimin e panjohur.
Disa orë më vonë bota areale filloi t’i lëvizte kujtimet. Pikërisht kështu dhe ndodhi.
HIDHËRIMI
– Kurrë nuk do ta kuptojmë hidhërimin, – tha pa menduar mirë, sepse ishte i ngazëllyer nga prania e dalldisjes së ndjenjave, apo sepse virtyti njerëzor i kishte mbetur në kujtesë derisa i numëronte të gjitha gjethet e asaj luleje të vyshkur atë ditë vjeshte, kur i jepte këshilla vetvetes për gjërat që kishin mjaft rëndësi për të vërtetën. Asgjë më shumë. Asnjë hollësi tjetër.
Atë ditë për të parën herë e kuptonte se Rrëfimtari i çasteve të dehura e kishte mësuar aq mirë instinktin e vardisjes saqë nuk kishte fare nevojë për medaljen e mosmirënjohjes, as të shndërrohej në tjetër njeri. Trurin e kishte të turbulluar, sytë e përgjumur, ecjen e shkujdesur, ndërsa veprimin e pamatur. Asgjë më shumë. Asnjë hollësi tjetër.
– Nuk dua asgjë prej dhimbjes sime, – mërmëriti në vetvete Zana derisa prapë iu turbullua mendja. E kapi frika e panjohur. Çdo gjë iu kthye mbrapsht. Sytë e saj të bukur. Fytyra e saj e ndezur. Shikimi i saj i magjepsur.
Asgjë më shumë. Asnjë hollësi tjetër.