Tri rrugë të Drenasit do ta bartin emrin e Demaçit, Vokrrit dhe Lumit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se tri rrugë të kësaj komune do t’i bartin emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, legjendës së futbollit, Fadil Vokrrit dhe të regjisorit Bekim Lumi, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se rruga “Adem Demaçi” do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në Drenas, duke e bërë pjesë të jetës dhe kujtesës për veprimtarinë e tij.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Për mbledhjen e radhës të Komisionit për emërimin e rrugëve në komunën e Drenasit kam marrë vendim të propozoj që tri rrugë ta bartin emrin e tri personaliteteve tona që kaluan në amshim: Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi.
Rruga “Adem Demaçi” do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në qytetin tonë, duke e bërë pjesë të jetës sonë, kujtesës dhe nderimit të përjetshëm për të.
Me veprimtarinë e tij patriotike, si asnjë tjetër në historinë tonë, mbi gjashtë dekada, Baca Adem ishte ndërgjegjja dhe boshti kurrizor i rezistencës, qëndresës dhe krenarisë tonë përballë okupatorit shekullor. Rruga e tij u njëjtësua me rrugën e popullit tonë për çlirim, liri dhe barazi.
Rruga “Fadil Vokrri” do të jetë rruga tjetër në komunën tonë që do të nderojë jo vetëm futbollistin me nam, por edhe krenarinë tonë në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë. Ai do ta udhëheqë me sukses pranimin e përfaqësueses së Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e bërë Kosovën për herë të parë, të barabartë me shtetet e tjera në botë në gara të futbollit, popullarizimin e sportit dhe armatës së sportdashësve.
Rruga “Bekim Lumi” do të jetë rruga tjetër e propozuar që do të përjetësojë jetën dhe veprën e Bekim Lumit në skenën teatrore, të regjisë së dramave, të papara ndër ne, duke përcjell mesazhin me cilësi të jashtëzakonshme. Ai, me jetën e tij, veprën dhe personalitetin e tij bëri që të jetë i paharrueshëm emri i tij jo vetëm në teatër, por edhe si profesor, pedagog dhe personalitet i çmuar i artit që tejkalon kufijtë e kombit tonë.
Pres që Komisioni t’i vlerësojë këto propozime, duke emërtuar tri rrugë, duke e bërë qytetin tonë më të pasur me emra personalitetesh që kanë kontribuar për vendin dhe kombin tonë.