Tri sfidat Gjermanisë për vitin 2023, pse ky vit do të jetë sfidues, por jo i qetë
Viti 2022 u karakterizua për qeverinë gjermane nga një seri e gjatë krizash, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, dhe kjo ndoshta do të vazhdojë edhe në vitin 2023. Dhe këto kriza nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me ato që kishte planifikuar qeveria gjermane kur nisi punën në dhjetor 2021.
Tri sfidat kryesore me të cilat do të përballet qeveria gjermane janë: vazhdimi furnizimit të sigurt me energji të vendit megjithë çmimet në rritje, nxitja e kohezionit social, mbështetja për paqen në kohë lufte dhe përcaktimi më i qartë i drejtimeve të politikës së jashtme, sidomos drejt Kinës.
Në një artikull të përbashkët në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kryetarët e partive që përbëjnë koalicionin qeveritar, socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët shkruajnë: “Ne duam ta bëjmë Gjermaninë më sociale dhe të drejtë, më moderne dhe digjitale, më konkurruese dhe neutrale ndaj klimës.”
Sigurimi i furnizimit me energji
Qeveria gjermane ka vënë në dispozicion 200 miliardë euro për të siguruar gjatë këtij dhe dimrit të ardhshëm furnizimin me energji të popullsisë dhe të ekonomisë gjermane pas ndërprerjes pothuajse të plotë të furnizimeve me naftë, gaz dhe qymyr nga Rusia.
Gjermania zgjeron kapacitetet për furnizimin me gaz të lëngshëm
Kancelari Olaf Scholz (SPD) deklaroi në një intervistë për grupin mediatik “Funke” se e konsideron të pamundur që çmimet e energjisë të bien në nivelin që ishin para luftës së agresionit rus në Ukrainë. “Ne ndoshta nuk do të kthehemi te çmimet e ulëta që kishim para luftës.” Por situata do të mbetet e menaxhueshme “sepse do të kemi në dispozicion mundësi të reja importi”. Gjermania sipas tij do të mbetet një vend industrial i fortë dhe i suksesshëm.
Kjo kërkon edhe zgjerimin e shpejtë të energjive të rinovueshme, por në këtë drejtim në koalicionin qeveritar kishte në vitin 2022 shumë mosmarrëveshje lidhur me ritmin dhe masat në politikën energjetike, për shembull lidhur me tarifën për gazin ose vazhdimin e funksionimit të tre centraleve bërthamore gjermane.
Kohezioni shoqëror
Qeveria gjithashtu duhet të shpenzojë shumë energji për të forcuar kohezionin social në kohë krizash dhe pasigurish të mëdha në radhët e popullatës. Zbulimi kohët e fundit i një grushti të planifikuar shteti nga grupi ekstremist i djathtë “Reichsbürger” i alarmoi gjermanët.
Arrestimi i një anëtari të grupit ekstremist i djathtë “Reichsbürger”
Në vitin 2023 qeveria duhet t’i bëjë edhe më të qarta dhe mbi të gjitha në mënyrë uniforme furnizimet me armë dhe mënyrën e solidaritetit për Ukrainën. Sipas një studimi të fundit shumë vetë janë skeptikë për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, nëse kjo çon në çmime më të larta të energjisë në Gjermani. Skepticizimi është veçanërisht i lartë në Gjermaninë Lindore.
Politikë e njësuar ndaj Rusisë dhe Kinës
Politika ndaj Kinës dhe Rusisë mbetet vërtetë një nga detyrat e rëndësishme për qeverinë gjermane për vitin 2023. Sipas ekspertit të partisë kristian-demokrate, CDU, Roderich Kiesewetter qeveria ka për detyrë “të diversifikojë furnizimin e vendit me energji, të shkëputet nga zinxhirët e prodhimeve të lira nga Kina, të diversifikojë më mirë dhe të njohë qasjen agresive dhe hibride të Kinës. Vitet e ardhshme, Kina do ta sulmojë ushtarakisht Tajvanin – prandaj tani duhet të reduktojmë ndjeshëm varësitë dhe ndikimin e Kinës sa më shpejt të jetë e mundur.”
Takimi i kancelarit Olaf Sholc me Xi Jinping në fillim të nëntorit 2022 në Kinë
Vizita e kancelarit Olaf Sholc në fillim të nëntorit 2022 në Kinë shkaktoi pakënaqësi brenda koalicionit qeveritar. Kjo ishte vizita e parë në Kinë e një udhëheqësi perëndimor që nga rizgjedhja e diskutueshme e Presidentit Xi Jinping më 23 tetor.
Po ashtu megjithë kritikat e ashpra, për shembull nga ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (të Gjelbërit), kancelari i lejoi kompanisë kineze të transportit Cosco të blinte një pakicë aksionesh në një kompani që administron terminalet në portin e Hamburgut. Njësimi i kursit ndaj Pekinit është një tjetër sfidë e madhe për qeverinë gjermane në vitin 2023.DW