Tri subjekte politike kanë aplikuar për zgjedhjet në veri
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lista Serbe, janë tri subjektet politike që kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat e veriut.
Kështu ka bërë me dije Valmira Selmani nga Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim në KQZ-së. “Të enjten ka qenë afati i fundit për aplikim për certifikim të subjekteve politike ku është përmbyllur dhe brenda këtij afati kanë aplikuar për t’u certifikuar tri parti politike për certifikim për komunat përkatëse”, ka thënë Selmani.
Në mbledhje të KQZ-së, anëtarët e këtij institucioni kanë kërkuar të trajtohet komplet aplikacioni i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj, pasi tre prej tyre kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës dhe tash kanë aplikuar sërish
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se duhet të trajtohet më thellësisht komplet aplikacioni i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj.
“KQZ-ja e ka një rast të mirë në këto zgjedhje për të disiplinuar edhe kandidatët e Listës Serbe për sjelljet dhe veprimet e tyre të fundit në kursin e Republikës së Kosovës dhe të respektimit të legjislacionit dhe kushtetutshmërisë por edhe të përgjegjësisë që kanë në raport me institucionet dhe legjislacionit”, ka thënë Rrustemi.
Shqetësime për kandidimin e anëtarëve të Listës Serbe, i ka shprehur edhe përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, Florian Dushi. “Në këtë fazë zyrës t’i tërhiqet vërejtja që të shoh në detaje të gjitha kushtet dhe kriteret që përcaktohen. Unë nuk flas për pjesën etike dhe politike, por flas për pjesën ligjore dhe kushtetuese të këtyre kritereve, pra të shoh nëse i përmbushin të gjitha këto kritere për t’i dhënë mundësi pastaj KQZ-së që të diskutojë nëse eventualisht mund të paraqes pengesë, fakti i dorëheqjes së tyre dhe kandidimi i po të njëjtëve në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Dushi.
/Epoka e re/