Tri temat kryesore në Samitin e NATO-s në Uashington
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes.
E, Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën.
Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.
Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë?
Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.
Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.
Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.