Tri vetura u përfshinë nga zjarri në Prishtinë, cak ishte ajo e zyrtarit të ATK-së
Në orët e mesnatës të së mërkurës u raportua për djegie të tri veturave në lagjen “Kalabria” të Prishtinës. Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve për televizionin tha se kjo zjarrvënie dyshohet të ketë qenë e qëllimshme, ku synimi ka qenë vetura e një punëtori të ATK-së. Për shkak të tymit të krijuar, banorët e kësaj ndërtese kanë kërkuar trajtim mjekësor
Mëngjesi i së mërkurës i zuri duke pastruar vetura.
E hapësira e parkingut nëntokësor të një ndërtese në Lagjen “Kalabria” është mbushur me pjesë të xhamit.
Kjo pasi në mesnatë tri vetura u përfshinë nga zjarri, në mesin e tyre dhe një veturë zyrtare.
Rastin e ka konfirmuar edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka i cili po qëndronte në vendin e ngjarjes.
“Sot pas mesnate në ora 1:25 minuta ka ndodhur një rast zjarri ku qëllim ka qenë një veturë Pasat dhe prej asaj janë ndezur edhe tri tjera totalisht dhe janë dëmtuar 5 automjete tjera me dëme jo të mëdha por me dëme disa pasqyre disa mbrojtëse”, ka thwnw Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve.
Sipas tij, veprimi po dyshohet se ka qenë e qëllimshme.
Synim ishte vetura e një punëtori të Administratës Tatimore të Kosovës.
“Shkaku është i qëllimshëm dihet me kamerë, është zjarrvënie e qëllimshme për motive të panjohura. Personi i dëmtuar apo qëllimi ka qenë tek një punëtor i ATK-së, ai deklaron që nuk ka pasur asnjë problem me askënd, qëllimi nuk dihet, hetimet vazhdojnë, Policia po merret me rastin”, tha Beka.
Rastin ka nisur të hetoj Policia e Kosovës. Ndërsa përveç dëmeve materiale, për shkak të tymit të krijuar disa persona kanë marrë trajtim mjekësor.
Në mesin e atyre që kanë marrë ndihmë mjekësorë ka pasur gra shtatzëna e fëmijë.
Televizioni ka tentuar të mësojë edhe për gjendjen e personave që kanë marrë trajtim mjekësor, mirëpo deri në publikimin e kësaj kronike, nga QKUK ende nuk kanë kthyer përgjigje.