Tri vjet dështim të qeverisë Kurti në drejtësi

22 mars 2024 | 16:56

Shkruan: Përparim Gruda

Sot është trevjetori i zgjedhjes së Qeverisë Kurti II. Asnjë nga premtimet kryesore që janë dhënë për fushën e drejtësisë nuk janë realizuar.

1. PADIA PËR GJENOCID – Është premtuar se do të ngritët padi për gjenocid ndaj Serbisë. Pas 3 viteve mandat, Qeveria nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Përkundrazi, Kryeministri Kurti është pajtuar për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë e cila parashikon që e kaluara jonë të tejkalohet, dhe po në këtë kohë është përkujtuar vdekja e kriminelit të luftës, Oliver Ivanoviq dhe është glorifikuar ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Nga ana tjetër nuk është thënë asnjë fjalë për të mbrojtur themeluesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

2. VETINGU – Është premtuar realizimi i vetingut brenda këtij mandati qeveritar, ende nuk ka filluar. Për këtë proces janë shpenzuar tri vite kohë nga Ministria e Drejtësisë pa asnjë rezultat. Komisioni i Venecias ka gjetur shumë vërejtje në Koncept-dokumentin për vetingun dhe amendamentet kushtetuese të përgatitur nga kjo ministri. Puna për realizimin e vetingut ka filluar vetëm para pak muajve, pasi është themeluar Komisioni i posaçëm parlamentar për këtë proces, i propozuar nga PDK-ja.

3. REFORMA NË DREJTËSI – U premtua reformimi i sistemit të drejtësisë, ndodhi e kundërta. U ulën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë kundër-kushtetuese dhe në kundërshtim me standardet e Komisionit të Venecias.

4. SKANDALI I ZHDUKJES SË MOSTRAVE TË RASTIT DEHARI – Historia e keqpërdorimit të vdekjes tragjike të Astrit Deharit ka vazhduar edhe këto tri vite sa LVV është në pushtet. Premtimi për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti është mbuluar nga skandali i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë. Asnjë sqarim për këtë skandal dhe asnjë dorëheqje, e mbi të gjitha asnjë hap i bërë për të zbardhur të vërtetën e plotë të këtij rasti.

4. LUFTA KUNDËR KRIMIT DHE KORRUPSIONIT – Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Transparency International tregoj për korrupsionin qeveritar dhe për mungesën e luftës kundër krimit. Pas tri viteve ende nuk është miratuar Strategjia Kundër Korrupsionit.

5. SHKELJET E KUSHTETUTËS – Përgjatë tri viteve Qeveria Kurti ka shkelur disa herë Kushtetutën e Kosovës, dhe kjo tashmë është bërë normë pune.

6. NDERHYRJET NË DREJTËSI – Kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu kanë nderhyrë vazhdimisht në punën e organeve të drejtësisë përmes deklaratave publike, sulmeve ndaj prokurorëve dhe mbrojtjes së njerëzve të tyre të korruptuar.

*Autori është profesor i të drejtës kushtetuese dhe koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 23.03.2024 Punime të…