Tringa Kastrati sjell një biografi familjare në vargje

09 qershor 2022 | 12:04

Poetja Tringa Kastrati ka botuar këtë javë librin me poezi “Heroi im”. Këtë libër ajo ia ka kushtuar babit të saj, Valdetit (29 vjeç), i cili ra dëshmor së bashku me babanë e tij Sokolin (57 vjeç), bashkë me vëllanë Xhaferin (51 vjeç), me dy djemtë Albanin (17 vjeç, nxënës), Ardianin (22 vjeç) dhe fqinjin Hasanin (39 vjeç), të cilët u vranë mizorisht nga dora barbare serbe më 28 maj 1999. Më poshtë parathënia e librit dhe vlerësimi i kritikes Fatbardha Hasi.

Parathënie e librit nga autorja

Jam shumë e lumtur që më është dhënë mundësia ta shkruaj këtë libër, në të cilin i kam përmbledhur të gjitha poezitë që më kanë rrjedhur nga shpirti.

U jam mirënjohëse familjarëve që më kanë rrëfyer për historinë dhe për veprat e babit tim, të cilin nuk arrita ta njohë më shumë se shtatë muaj.

Pa ju familjarë dhe miq të dashur ky libër do të ishte i thatë, por historitë dhe tregimet tuaja për babin tim ma mbushën shpirtin dhe ma frymëzuan imagjinatën që të shkruaj për trimin që dha jetën për lirinë e Kosovës.

Jo gjatë gjithë kohës e kisha frymëzimin të shkruaja. Disa herë, kur ulesha të shkruaja dhe e kuptoja se s’po arrija dot ta jepja atë që dëshiroja, e ndërprisja shkrimin.

Këtë libër kam filluar ta shkruaj që kur isha 12 vjeçe. Atëherë kur shpirti im qante, qaja edhe unë mbi letrat e poezive të mia dhe e tërë dhimbja më kalonte duke thurur vargje të cilat burimin e kishin thellë në shpirtin tim të rënkuar. Shumë nga poezitë e mia u publikuan nëpër revista dhe ekspozita shkollore letrare.

Këtë libër ia kam kushtuar babit tim Valdetit (29 vjeç), i cili ra dëshmor së bashku me gjyshin tim Sokolin (57 vjeç), bashkë me vëllanë Xhaferin (51 vjeç), me dy djemtë Albanin (17 vjeç, nxënës), Ardianin (22 vjeç) dhe  fqinjin Hasanin (39 vjeç), të cilët u vranë mizorisht nga dora barbare serbe më 28 maj 1999.

Sot i kujtojmë me mall, dashuri, respekt dhe krenari këta burra heronj.

Ju jeni meritorët më të mëdhenj për lirinë të cilën e gëzon sot Kosova së bashku me shumë dëshmorë të tjerë të cilët lanë më të dashurit dhe u flijuan për lirinë e këtij vendi.

Shënime për autoren

 Tringa Kastrati lindi (7 nëntor 1998) në Pejë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i përfundoi në Prishtinë, më pas i vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Farmaci.

Tringa Kastrati lindi në një kohë shumë të vështirë, kur në Kosovë po zhvillohej lufta më e pamëshirshme dhe më e pabarabartë, kur nuk kursehej as popullsia civile që nga fëmijët, gratë dhe pleqtë, të cilët shumë shpesh kanë qenë cak i sulmeve dhe vrasjeve më mizore duke mos kursyer askënd. Edhe familja e autores ka qenë pre e atyre sulmeve ku pesë anëtarë të familjes janë vrarë nga dora barbare serbe, në mesin e tyre edhe babi i Tringës, Valdeti. Familja Kastrati ishte çdoherë në ballë të të gjitha iniciativave për të luftuar kundër pushtuesit serb. Kontribuoi në të gjitha format për lirinë dhe pava­rësinë e Kosovës. Ky kontribut i familjes Kastrati ra në sy të okupatorit serb; u përndoq, u maltretua shumë herë në format më barbare dhe më çnjerëzore të mundshme deri në vrasjen e familjarëve të saj. Cak i sulmit ishte edhe vetë autorja e këtij libri, e cila në atë kohë ishte vetëm shtatëmuajshe.

Tringa ka vendosur të botojë disa poezi të cilat ia ka kushtuar kryesisht babait të vet.

Librin e ka titulluar “Heroi im”, epitet ky për babanë e saj dëshmor. Poezitë Tringa i ka shkruar në periudha të ndryshme të jetës. Secila prej tyre buron nga shpirti i saj i moshës së fëmijërisë dhe adoleshencës. Në këto poezi autorja ka përjetime personale të cilat të rrëqethin me dëlirësinë, pastërtinë, dashurinë dhe ngrohtësinë që pasqyrojnë zemrën e pastër të autores, e cila ka vendo­sur që përmes fjalës poetike ta shprehë padrejtësinë jetësore e cila ia ka prerë fatin që të rritet pa babanë e saj.

Në vargjet poetike janë të pranishëm edhe familjarë të tjerë të cilët kanë dhënë kontribut të madh që Tringa të rritet e të edukohet në jetë duke, pa i munguar asnjë gjë e vetme, përveç përkëdheljeve dhe dashurisë së babit.

Libri “Heroi im” është libri i parë i autores i cili vjen si dedikim për heroin e saj imagjinar, babanë, dhe do të mbetet relikti më i çmuar që Tringa ka vendosur t’i kushtojë babait të saj tashmë dëshmor.

Tringa Kastrati është shembulli më i mirë që dëshmon se, varësisht prej sfidave që njeriu mund të përjetojë në jetë, është puna e palodhshme, vullneti dhe guximi ato që bëjnë të mundur që të arrihet çdo qëllim i synuar në jetë.

Fatbardhë Hasi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vazhdon shitja e biletave për ndeshjen e nesërme mes Shqipërisë…