“TRINI+” RIKTHEHU NË KURSIN GJEOPOLITIK SHBA-BE, OSE IK

06 nëntor 2021 | 12:41

”Trinia+” – kryeminsitër-president-kryeparlamentar përfshirë edhe kryediplomaten, që nga fillimi kanë shprehur sjellje çoroditëse gjeopolitike, por se do të shkonin kaq larg sa të lëndojnë seriozisht raportet me partnerët strategjik të Kosovës, ka qenë pak e besueshme, pasi nga rënia e Qeverisë Kurti 1 do të duhej të ishte nxjerrë leksioni i duhur, dhe se për të mbetur në pushtet (si për secilën qeveri në Kosovë) kërkohet sinkroni me SHBA-të dhe BE-në.

Ndaj sjelljeve të dëmshme për Kosovën, nuk kam mundur të rrijë indiferent dhe të mos përpiqem të jap kontributin tim, që të tërheq vëmendjen për largimet nga gjeopolitika dhe pasojat e mundshme, dhe konkretisht, para rreth dy muajve, kam nënvizuar: “Mbase Qeveria dhe KM Kurti do të kuptojnë se pa SHBA-të, Kosova nuk mundet në asgjë t’ia dalë. Qasja e deritashme e KM Kurtit e anashkalimit të SHBA-ve duhet të ndryshohet dhe të kthehet në kurs bashkërendimi të ngushtë, paraprak dhe në secilin hap. Edhe pse jemi në të drejtën, prapëseprapë vetëm me SHBA-të Kosovës gjithmonë i del mirë.” Me sa duket, ata nuk kanë dashur të dëgjojnë.

“Trinia+” e ekzaltuar nga fitorja e 14 shkurtit ku morën mbi 50% të votave me sa duket krijuan bindjen se e kishin fituar besimin e qytetarëve njëherë e përgjithmonë, e me këtë edhe legjitimitetin për të ndryshuar qëndrimet gjeopolitike në relacionet SHBA-BE, në shërbim të agjendave të tjera, ku në radhë të parë vihet ideologjia dhe shtyrja e saj përpara, e jo interesi i atdheut, i shtetit dhe i qytetarëve në konstelacionet rajonale dhe ndërkombëtare, ata vazhduan si të droguar me të tyren pa dëgjuar asnjë zë racional, dhe donin të luanin një lojë gjeostrategjike që nuk është interes i Kosovës.

Që nga fillimi “trinia+” tregoi qartë shmangien nga kursi gjeopolitik me partnerët kryesorë të Kosovës, shpesh duke ironizuar ( për shembull, ju kujtohet A. Kurti: “Amelika, Amelika”, që ishte përtallja më e rëndë dhe përbuzëse ndaj sponsorit kryesor të shtetit të Kosovës; ju kujtohet D.G.Sshwarz në mbledhjen e saj të parë me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara krejt pa sens përmendi gjenocidin e Gjermanisë naziste gjenocidin e Gjërmanisë naziste si krahasim me gjenocidin e Serbisë, kur mund të përmendte ndonjë vend tjetër që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, nëse duhej gjithsesi të bëhej ndonjë krahasim –  e jo faqe botës e krejt panevojshëm të shpupurishte në plagën e një vendi shumë mik dhe shumë përkrahës). Shihej prirja për të kërkuar jo shkaqe bashkëpunimi, por mënyra për të prolonguar, sjellje anashkalimi dhe shpërfilljeje të SHBA-ve.

Arroganca e ‘trinisë+” nuk kishte të ndalur: pasi në emër të çkapjes së shtetit i kapi shumicën e institucioneve, por i mbetën institucionet e drejtësisë. Këtu e ka zanafillën nisma për vettingun, që në të gjitha nivelet, të vendosen njerëzit e “trinisë+”. Pastaj, çkado që prejudikon “trinia+”, “drejtësia e tyre” do ta konfirmojë përmes procesve të inskenuara gjyqësore! Kur BE-ja doli kundër një mënyre të tillë të vettingut, “trinia+” e përjetoi si prishje të ëndërrave për ta kapur “krejt” pushtetin ani se aspak ”drejt”, ndaj dhe nuk arriti zëdhënësja e “trinisë+” të frenojë megalomaninë e vetë, si dhe turri stafin e vet kundër BE-së, në vend se të vepronte me urtësi sikurse ia kërkon posti i së parës së vendit, të shihej në pasqyrën politike dhe të reflektonte për kursin e dëmshëm që po ndiqnin.

Përderisa mashtrimi brenda vendit mund edhe të kamuflohet, ose që njerëzit të mos e kuptojnë sepse janë të lodhur nga lufta për ekzistencë (të rënduar prej pandemisë dhe prej varfërisë me të cilën luftojnë orë e çast), në relacionet me jashtë ndryshon puna, pasi që SHBA dhe BE kanë institucione që përcjellin çdo shprehje, qëndrim, sjellje e veprim të liderëve të secilit vend. Shi për këtë, nuk vonoi as feedback-u: BE-ja mori vendim për mosliberalizim të vizave. Kjo është shenjë se është e papranueshme qasja mospërfillëse ndaj BE-së. Dhe nëse “trinia+” nuk ndalet të reflektojë thellë, do të pasojnë edhe masa të tjera. Fatkeqësia është se ato masa nuk godasin pushtetarët, por qytetarët!

Një ditë më vonë, ndodhi dhe diçka tjetër, tepër e rëndë. SHBA-të nuk ftuan Kosovën në Samitin e Demokracisë, ashtu sikurse nuk u ftua as Serbia, Bosnja dhe Hungaria. Kjo, me të drejtë, u vlerësua si alarm për Kosovën.Zyrarisht, ende nuk ka asnjë fjalë nga “trinia+”!

Kur këtyre u shtohen edhe dështimet e shumta në zhvillimet e brendshme për më pak se dhjetë muaj në pushtet, atëherë plotësohet tabloja: me aq pompozitet Qeveria Kurti 2 foli për zhvillim ekonomik brenda këtyre mujave sa janë në pushtet sa dukej sikur kishin zbuluar magjinë që bën mrekulli në standardin e jetesës, por kundër i doli ngritja e çmimeve që drejtpërdrejtë godet qytetarin, si dhe FMN-ja paralajmëroi për rritjen e inflacionit deri kah mesi i vitit të 2022; ndonëse trumbetoi luftën kundër korrupsionit në të vërtetë  “trinia+” po tregohet joefikase, dhe po vazhdojnë aferat e vjedhjes edhe aty ku ajo bëri “reforma”; po kultivohet nepotizmi në punësime; po rritet autoritarizmi i “trinisë+” në pushtet që ka përhapur intimidimin tek nëpunësit e karrierës, etj. etj., atëherë mund të thuhet se thuaja në të gjitha sferat po shënohet keqqeverisje.

Po të kishte ndodhur një degradim i këtillë para një viti, “trinia+” do të kishte armiqtë kujdestarë: drejtuesit kryesorë të UÇK. Por akuzat ndaj nomenklaturave të kaluara, nuk mund t’ia atribuojnë pamjen e viktimës, sepse janë gabime të “trinisë+”. Propaganda kundër drejtuesve të UÇK nuk ju jep më kredi, sepse ata tashmë ndodhen në Hagë. Dhe ata, edhe pse e dinin se vetë do të binin të parët nga pranga, nuk u mëdyshën që, për hir të Kosovës dhe sipas sugjerimeve të vendeve aleate, të krijonin Gjykatën Speciale dhe të përballeshin me akuzat. Prandaj, rrëfimi i ish-këshilltarit shumëvjeçar Ismail Syla për vizitën që i kishte bërë Hashim Thaçit, se ai po mbahet shkëlqyeshëm kundrejt sfidave të rënda, dhe madje po e kompenzon atë që e kishte humbur si lider ndoshta që nga viti 1997 – po lexonte shumë, për mua, si i burgosur politik i dikurshëm në ish-Jugosllavi, e di sakt se vetëm njerëzit me ideal të fortë dhe që e dinë se janë krejtësisht të pafajshëm e kthejnë edhe burgun në qendër studimore.

Shumë kush lakmon të bëhet Hero, por nuk arrinë gjithkush, ose, madje, nuk e sheh mënyrën se si mund të bëhet hero. Fjala vjen, A. Kurti e kishte mundësinë të bashkëngjitej në frontet e luftës çlirimtare, por ai refuzonte të kapte armën për të luftuar armikun që po vrante fëmijë, të rinj e të reja, gra e pleq dhe civilë të pa armatosur! Historia ia dha një shansë të dytë: por ai nuk po di ta gjejë rrugën për t’u bërë hero. Dhe kjo mungesë nga e kaluara duket se e bashkon “trininë+”, gjë që mbase i bën jo vetëm t’i urrejnë njerëzit e luftës çlirimtare, por politikisht ata duan të hedhin gjithçka poshtë që kanë arritur ata, përfshirë edhe ato arritje që janë të shkëlqyera për Kosovën, si, fjala vjen, marrëdhëniet e partneritetit me SHBA-të, dhe bashkëpunimin me BE-në dhe vendet euro-atlantike.

Ky kurs nuk mund të vazhdojë më. Ka ardhur momenti kur duhet një kthesë për 180 shkallë:

– “Trinia+” duhet të ndryshojë urgjentisht kursin e deritashëm ndaj SHBA-ve sidomos, t’i kërkojë falje, të rikthejë partneritetin dhe besueshmërinë e ndërsjellë dhe të koordinohet e sinkronizohet për gjithçka paraprakisht dhe në dakordancë të plotë në çdo veprim;

– “Trinia+” duhet të afrohet me BE-në, të tregojë mirësjellje dhe të bashkëpunojë duke implementuar standardet europiane dhe vlerat ndërkombëtare, domethënë të ndërpritet vettingu si instanca e kapjes masive të drejtësisë dhe, nëse bindet BE-ja se duhet bërë, të bëhet sipas sugjerimeve të BE-së dhe nën patronatin e miratimin e tyre, madje edhe të krijohet instanca me prezencën e skpertëve të BE-së me kompetencë vendimarrjeje;

– “Trinia+” duhet të ndalë kapjen e mëtutjeshme të shtetit, të mos i ngulfasë institucionet, të mos intimidojë nëpunësit civilë, të luftojë me sinqeritet nepotizmin, të ashpërsojë luftën kundër korrupsionit, të respektojë pavarësinë e agjencioneve dhe institucioneve të ndryshme të pavarura, të mos bëhet “trinia+” masë e drejtësisë, po ligjet të jenë masë e drejtësisë dhe korniza të veprimit e të sjelljeve të “trinisë+” dhe të gjithë pushtetit.

Nëse, pra, nuk ka kurajo dhe as vullnet politik të bëjë kthesat gjeopolitike, të rikthejë kursin gkeostrategjik të harmonizimit me SHBA-të dhe BE-në, atëherë “trinia+” ka vetëm një mënyrë që të ndalë kthimin pas të Kosovës dhe ndëshkimin e padrejtë të qytetarëve të saj – të ikë nga pushteti, të japë dorëheqje. T’i hapë kështu udhë krijimit të një qeverie të shpëtimit kombëtar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse një Bosnjë multi-etnike shtyhet drejt shpërbërjes, kjo do të…