TRISHTIMI

05 mars 2018 | 11:14

Prekazi, një krim serb i shekullit (4)

Basri Musmurati

Në hyrje të Skenderajt, në anën e majtë të rrugës, vërejtëm njerëz dhe u ndalëm. Në një si depo e materialit ndërtimor, që kishte një mbulesë me llamarinë, ishin të shtrirë 56 të vrarë e të masakruar nga pushteti serb. Aty hasëm fillimisht në nja 10 apo 15 veta që silleshin e përkujdeseshin për të vrarët.

Filluan të vinin edhe njerëz të tjerë individualisht dhe në grupe të vogla. Rifat Bejta, me një palë dorëza të bardha në duar dhe një fletore, përpiqej ta bënte identifikimin e të vrarëve e masakruarve. Aty takuam një hoxhë që mbante në kokë kapelën e hoxhollakut i cili vazhdimisht ishte i përlotur. Kemi ndërruar pak fjalë me të se çfarë të bëjmë më tutje. Më vonë kam kuptuar se hoxha kishte qenë Mulla Osman Musliu.

Para nesh ishte një pamje tmerri: të gjithë dukeshin se nuk janë të vrarë vetëm me armë zjarri, pasi trupat e tyre qenë të masakruar në pjesë të ndryshme të trupit. Tmerri bëhej edhe më i trishtueshëm kur shihje fëmijë, gra, pleq e të tjerë se çfarë u kishte bërë pushteti serb. Është e paimagjinueshme të vriten e masakrohen dhe karbonizohen njerëzit në shtëpitë e tyre.

Trupi i Shaban Jasharit ishte i dëmtuar shumë, një krah të këputur nën bërryl si duket nga ndonjë granatë, Ademi kishte marrë një plumb në qafë, mbi kockën e dërrasës së kraharorit, ndërkaq Hamza e kishte të hequr gjithë abdomenin, bile më dukej sikur ta kishte bërë qëllimisht ndokush operacion për t’i marrë organe trupi. Unë nuk i kisha njohur këta, përveç axhës Shaban. Të tjerët qenë të sakatosur e një pjesë të karbonizuar dhe mezi dalloheshin se janë trupa njerëzish. Ilaz Bylykbashi e Enver Maloku (tani i ndjerë) bënin fotografi.

Në një moment Ilazi, duke bërë fotografitë e fëmijëve të vrarë i bie të fikët. Kam parë njerëz që dënesshin, qanin, por kishte edhe të tjerë që betoheshin për hakmarrje. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën bukur shumë qytetarë. Aty takova një grup të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që kishin ardhur nga Prishtina: Binak Ulaj, Teuta Hadri, Ilmi Ramadani, Halime Morina (Limka) e ndonjë tjetër që nuk e kam njohur.

Më duket se aty kam takuar edhe Cen Deskun. E takoj edhe prof. Zekeria Canën. U morëm ngrykë dhe më tha: “Basri djali, ta bëjmë varrimin kombëtarisht, mos të na pengojë askush. Kjo masakër serbe do të mbetet histori e madhe për këtë Kosovë tonën martire. Varret janë duke u hapur”. Në një farë mënyre në mes vete me Antonin e Rexhepin gati nuk mund të flisnim, ishim mpirë dhe fjalët nuk dilnin. Në ndërkohë na u afruan disa policë dhe njëri më tha se a je ti Basriu.

Pasi pohova na thanë të shkojmë me ta deri te stacioni i policisë. Shmangie nuk mund të bëhej, andaj vendosem të shkonim por me makinën tonë. Në stacionin policor na priti zëvendëskomandanti, i cili nuk kishte uniformë policore dhe një polic i cili qëndronte në këmbë dhe sillej me nervozitet nëpër zyre. Na thanë se duhet të angazhoheni që të varrosen të vrarët para mbrëmjes. Ne u thamë se ne jemi parti politike dhe se nuk mund të merremi me varrosjen.

Pas zhvillimit të një bisede tejet të rëndë e besa edhe kërcënuese dolëm e shkuam përsëri aty ku ndodheshin 56 trupat e pajetë të Jasharëve e të tjerëve. Rifat Bejtes, Ajnishahe Halimit, Mehmet Çallakut, Emin Halimit, Xhafer Murtezit, Cen Deskut, Fetah Bekollit dhe të tjerëve që mund t’i kem harruar, ju shpjeguam temën e bisedës në polici. Në ndërkohë Ramë Buja e Fatmir Sejdiu, me ta kishte qenë edhe Mevlude Saraqi, erdhën me kamionin me të cilin sollën arkivolet.

Një makinë policore erdhi dhe kërkuan që të shkoj me ta sërish në stacionin policor. Kundërshtova fillimisht, por kur pashë se dhunshëm do të më merrnin ju thash se bashkë me kolegët e mi do të shkoj pas tyre. As kjo nuk piu ujë dhe, për të mos shkaktuar ekses, për të cilin nuk ishim të përgatitur, u futa në veturën e tyre. Asnjë fjalë nuk ndërruam deri në stacion. Më futën në të njëjtën zyrë ku kishim qenë ma herët dhe më priten të njëjtit policë, ai zëvendëskomandanti dhe polici tjetër.

Tani të tre qëndronim në këmbë dhe me urdhëruan që menjëherë t’i varrosim të vrarët, përndryshe ne do t’i dërgojmë e t’i varrosim në Mitrovicë më thanë. U thash se ju i keni vrarë vet dhe mund të bëni ç’të doni. Ai zëvendëskomandanti reagoi si i çmendur: “Unë nuk i kam vrarë, unë nuk i kam vrarë!” Më shkoi mendja se ky ose kishte keqardhje për të vrarët ose kishte frikë për të ardhmen. Polici tjetër nuk dha asnjë shenjë tjetër përveç një krenarie dhe një kërcënimi të vazhdueshëm, dhe në një moment m’u afrua dhe deshi të më bie grusht, por ky tjetri i tha të rri i qetë. Ju keni ardhur nga Prishtina dhe vetëm po kërkoni të përfitoni në kohë, por na e kryejmë këtë punë më tha zëvendëskomandanti policor.

Nuk më penguan të dal jashtë ku kishin ardhur e më prisnin Antoni e Rexhepi. Në rrugë, poshtë stacionit policor, ishin renditur disa kamionë pa regjistrim dhe kishte policë e të tjerë që kishin veshur uniformë tjetër nga policia e si duket kishin qenë varrtarë.

U kthyem sërish në vendin ku ishin të shtrirë gjithë ata të vrarë dhe pas disa konsultimeve vendosem të ktheheshim për Prishtinë. Rexhep Gjergji, sa u larguam nga Skenderaj mezi shqiptoi fjalët: “Oh, sa keq i lamë këta njerëz!” (fjala ishte për të vrarët dhe të gjallët që merreshin me ta).

Sa arritëm në Prishtinë, na prisnin pjesa dërmuese e Kryesisë dhe shumë gazetarë. Para gazetarëve foli Enver Maloku, ndërsa Ilaz Bylykbashin e dërguam që sa ma parë të bëjë fotografitë që kishim fotografuar në Skenderaj. U bënë numër i madh fotografish në nga tre ekzemplarë. Menjëherë Cima filloi t’i shpërndajë nëpër adresa të ambasadave të ndryshme, një kopje tjetër e dërgova në Zyrën Amerikane në Prishtinë dhe kopjen e tretë, nëpërmjet një personi të njohur e të sigurt nga Bujanoci, e nisëm për në Beograd në Ambasadën e Shqipërisë.

Gazetarët që silleshin rregullisht rreth Shoqatës së Shkrimtarëve ku ishte selia e LDK-së këmbëngulnin që t’u jepnim fotot, gjë që nuk mund ta bënim. Nuk kaloi shumë kohë dhe agjencitë e ndryshme të lajmeve kryelajm kishin atë se çka ka ndodhur në Prekaz të Kosovës. Lajmet i faktonin edhe me fotografitë e krimeve serbe që ju kishim dërguar në adresat e tyre. Enver Maloku, me ekipin e tij nxorën numër special të QIK-ut për atë që pamë në Skenderaj. Ndonëse teknika e botimit të QIK-ut nuk ishte moderne, megjithatë u arrit që të plotësohet edhe me fotografi. Qytetarë të shumtë vinin në seli dhe merrnin informatorin QIK deri pas gjysmës së natës të 10 marsit 1998.

Nga 5 marsi deri më 10 mars 1998 bota ishte informuar për krimet serbe në Prekaz, por nuk kishte fotografi për të dëshmuar atë që kishte ndodhur. Fotografitë e asaj kohe që u shpërndanë gjithandej nëpër botë, krijuan bindjen e palëkundshme se Serbia po bën krime në popullin shqiptar në Kosovë. Përveç kësaj, personalitete të ndryshme filluan të thërrasin në Kosovë për të marrë më shumë detaje. Ishte e pamundshme t’u përgjigjeshim të gjithëve në mungesë të teknikës së kohës. Mezi, në mëngjesin e 11 marsit në orën 3:20 arrita në shtëpi ku gjeta gruan dhe fëmijët duke qarë për ato që kishin dëgjuar e parë në lajme të ndryshme.

Gjatë mbrëmjes së 10 marsit forca të shumta policore serbe morën dhunshëm 56 trupat e pajetë dhe i varrosen gati kolektivisht në gropa të hapura të varrezat e Prekazit të poshtëm. Nuk respektuan asnjë normë morale e njerëzore të ndonjë ceremonie të varrimit që bëhet në gjithë botën.
Të nesërmen qytetarët u organizuan dhe i zhvarrosen, bënë identifikimin e atyre që pati mundësi dhe i varrosen në varret që kishin hapur paraprakisht. Me drenicakët e organizuar për varrimin e Jasharajve tërë kohën ka qenë i pranishëm edhe prof. Zekeria Cana.

Tani trishtimi, dhimbja për të vdekurit tmerrësisht ishte e rëndë, ndërsa urrejtja ndaj pushtuesit kishte arritur kulmin e qytetarëve dhe të gjithë Kosovës tani u bindën dhe u mobilizuan në mbështetje të UÇK-së dhe luftës së saj për liri. Masakra në Prekaz ndikoi që bota përparimtare të kuptojë ma drejt dhe të gjykojë ma mirë e ma drejtë kërkesën e Kosovës për t’u çliruar nga Serbia barbare.

Pati edhe masakra të mëhershme serbe si ajo e Likoshanit e 28 shkurtit e 1 marsit 1998 ku policia serbe masakroi 24 banorë të Likoshanit e Qirezit, vetëm në familjen Ahmetit 10 anëtarë e 1 mysafir. Këta i nxori nga shtëpitë e tyre duke i torturuar tmerrësisht e në fund duke i goditur me plumba nga armë të ndryshme. Para se të varroseshin i vizituam me sekretarin e Parë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd Artan Begolli dhe pamë mizoritë e bëra të policisë serbe mbi trupat e tyre: Koka të çara, sy të nxjerrë, dhëmbë të thyer, gjymtyrë të thyera e të prera, veshë të prerë e trupa të dërmuar plotësisht. Të gjitha këto krime dhe plot të tjera që nuk u përmendën në këtë shkrim qenë një paralajmërim se Serbia në krye më krykriminelin Sllobodan Millosheviq po punonte në zhbërjen e shqiptarëve e të Kosovës.

Masakra e Prekazit e bërë në lagjen Jasharaj si dhe masakrat tjera të kryera nga policia dhe ushtria e Serbisë, ndonëse krijuan dhimbje e frikë në popull, nuk mundën ta shuajnë ndjenjën e lirisë së shqiptarëve. Pas këtyre krimeve serbe, qytetarët u mobilizuan shumë më tepër jo vetëm në mbrojtje të UÇK-së, por organizatorët dhe udhëheqësit e UÇK-së e patën të vështirë për t’i rreshtuar në njësitë e tyre të gjithë ata të rinj e të vjetër, që ishin të gatshëm të luftonin për çlirim të Kosovës. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kalëruese e dhembjeve jam” është libri i parë i poetes…