Trishtimi nga intervista e Nasim Haradinajt
Shkruan: Bedri Halimi
Një nga gjërat e shumta që më bënë përshtypje në intervistën e Nasim Haradinajt, është qëndrimi i “drejtorit të ri” të burgut të Hagës në ditën që u lirua nga burgu Nasimi.
Sipas Nasimit, në dhomë i është lejuar të ketë kompjuter, por pa qasje në internet (kjo gjë është e logjikshme dhe dihet). Në këtë kompjuter, Nasimi tregoi se i ka shkruar disa nga kujtimet e tij. Ato i ka incizuar në një CD, të cilën ka menduar ta marr me vete, në ditën që do të dalë nga burgu. Mirëpo, “drejtori i ri” i burgut, ja paska kërkuar atë CD, që njëherë duhet ta kenë në dorë organet e burgut, duke i premtuar se pas verifikimit, do të ja dërgojnë atë CD!!!
Duke pasur parasysh (gjithmonë sipas tij – Nasimit) se sa janë vonuar librat, apo rrobat e dërguara nga jashtë, (nga një ditë deri në një muaj), atëherë kuptohet se ajo CD, kur do t’i arrinte dhe a do t’i arrinte fare ndonjëherë.
Si rrjedhojë, në prezencë të drejtorit të burgut, Nasimi e paska thye CD-në, duke mos ja dhënë “drejtorit të ri”, sepse sipas tij (Nasimit), kurrë më ajo CD nuk do t’i kthehej.
Ky veprim i “drejtorit të ri” se ç’m’i kujtoj burgjet serbe e ish jugosllave, që kur dilte i burgosuri nga burgu, përkujdeseshin tamam si ky “drejtori i ri”, që të burgosurit të mos merrnin nga burgu, asgjë me vete, për të nxjerrë përjashta.
Por në këtë pikë, ka një dallim të vogël: në burgjet serbe e jugosllave, këtë punë e kryenin gardianët e burgut, të shoqëruar eventualisht nga ndonjë mbikëqyrës (nadzornik) i burgut, dhe kurrë, në kryerjen e kësaj pune, nuk merrte pjesë, asnjë drejtor, i asnjë burgu, as në Serbi e as në republikat tjera të ish Jugosllavisë.
Kështu që, krahas trishtimit që ndjeva, rreth funksionimit të kësaj logjike, uroj që Nasim Haradinaj, t’i rishkruaj ato kujtime dhe t’i botoj si libër të veçantë. Madje pse jo, të përkthyera edhe në gjuhën angleze.
Besoj se këtë gjë Nasim Haradinaj e din. Le të ketë jetë e shëndet.