Triumfi po afrohet, kujdesi të vazhdojë dhe lehtësimet po nisin
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se numri i të shëruarve dje sërish tejkaloi numrin e të infektuarve. Abdixhiku ka treguar se triumfi është duke u afruar, kujdesi duhet të vazhdojë e lehtësimet duhet dhe po nisin. “Keni hequr dorë nga gjërat më të bukura tuaja ditore – nga takimi me miq, vizitat me familjarë e puna me bashkëpunëtorë. Jeni e jemi ndarë nga njëri tjetri”, ka shkruar Abdixhiku.
Shkrimi i tij:
Për të dytën ditë radhazi, numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve. Këtë herë trefish më shumë; 31-10. Ndjenjë lehtësimi. Ndjenjë triumfi që po afrohet. Kujdesi duhet të vazhdojë. Lehtësimet duhet dhe po nisin. Rimëkëmbja po na pret. S’do të jetë e lehtë por asgjë me kaq shumë vullnet s’duket e pamundshme.
Keni hequr dorë nga gjërat më të bukura tuaja ditore – nga takimi me miq, vizitat me familjarë e puna me bashkëpunëtorë. Jeni e jemi ndarë nga njëri tjetri. Duket e largët dita e fundit normale e jona. Kjo sakrificë po shpaguhet dhe s’ka asgjë më të bukur se kjo. Ju faleminderit të gjithëve për dy ditë të jashtëzakonshme dhe për të tjerat që janë në ardhje.
E bëni mundin e secilit të vlejë.
Kujdesuni për veten.