Trompi: Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve do të zgjasë së paku edhe tri-katër vjet
Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet. Kështu ka thënë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
“Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, ka thënë Trompi.