Tronditëse, terroristët serbë vëzhgonin KFOR-in dhe EULEX-in në veri
Saktësisht një vit para sulmit në Banjskë, terroristët serbë mblidhnin informacione për trupat e KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë. Pjesë e interesimit të tyre ishin edhe lokacione të veçanta në vendin tonë. Dukagjini sjell ngjashmëritë mes ushtrimeve në Kopaonik të Serbisë dhe sulmit në Banjskë, që për Qeverinë e Kosovës janë tronditëse
Autoambulancat do të duhej të shërbenin për qëllime mjekësore, mirëpo në veri të Kosovës ato kryejnë edhe funksione tjera.
Në pronësinë e strukturave paralele serbe ato shfrytëzohen edhe për krijim të barrikadave, por edhe për bartje ilegale të armatimit nga Serbia.
Këtë të fundit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e ka bërë pjesë të raportit të saj mbi 50 faqesh për të vërtetën e sulmit terrorist në Banjskë.
Aty përmendet fakti që njëri nga terroristët serbë të vrarë në përleshjen e 24 shtatorit, Igor Milenkoviq ka qenë shofer i ambulancës në Leposaviq.
Ndërsa më heret, sipas raportit, ai ka qenë pjesëtar i Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Serbe.
Një pjesën e dytë të raportimit për përmbajtjen e raportit preliminar të MPJD-së, Dukagjini sjellë informacionet e paraqitura aty për disa nga pjesëtarët e identifikuar të grupit terrorist.
Një numër i madh pjesëtarëve të grupit kriminal që sulmuan KFOR-in në maj të këtij viti më vonë u identifikuan si udhëheqës të organizatës terroriste, “Mbrojtja Civile”.
Njëri nga liderët, Milun Milenkoviq, është arrestuar për pjesëmarrjen e tij në sulmet e organizuara kundër trupave të KFOR-it dhe është në pritje të gjykimit.
Të paktën disa nga 37 personat që sulmuan misionin e NATO-së në Kosovë, sipas raportit, ishin anëtarë të grupit paraushtarak prej më shumë se 80 trupash të trajnuar dhe pajisur nga Serbia.
Dokumentet dhe pajisjet e terroristëve të përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it në maj u konfiskuan në Banjskë më 24 shtator. Në raport janë të vendosura fotografitë e tyre nga të dy sulmet.
Njëri nga ta është Stefan Jovanoviq, i fotografuar në maj gjatë sulmeve kundër trupave të KFOR-it, përkrah Milenkoviqit.
Edhe anëtari tjetër i “Mbrojtjes Civile”, Milorad Jevtiq është parë gjatë sulmeve kundër trupave të NATO-s, derisa dokumentet e tij janë gjetur në vendin e krimit në Banjskë.
“Micko” siç njihet ndryshe, është nja nga bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit të Serbisë.
Vend në raport zë edhe Kopaoniku i Serbisë.
Aty theksohet se një vit më parë, në shtator të 2022-ës, pjesëtarët e Brigadës së 72-të të Operacioneve Speciale morën pjesë në një stërvitje.
Pos kësaj një element tronditës që është zbuluar nga organet e sigurisë në Kosovë, e që është përfshirë në këtë raport është edhe fakti se si këto forca kanë vëzhgua trupat e KFOR-it dhe EULEX-it në Veri të Kosovës.
“Për qëllime të kësaj stërvitjeje është shfrytëzuar harta e “Novi Pazarit”, dhe qëllimi parësor i kësaj stërvitje ka qenë mbledhja e informacioneve për trupat ndërkombëtare në Kosovë dhe për lokacione të caktuara brenda Kosovës. Ngjashmëritë mes këtij ushtrimi dhe asaj që ndodhi më 24 shtator 2023, janë tronditëse”, thuhet në raportin e MPJD-së.
Ngjarja e 24 shtatorit nxorri në dritë edhe liderin e këtij grupi terrorist, që përmes imazheve të marra nga dronët u vëretua se ishte hic me pak se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiciq.