Tronditjet në koalicionin VLEN, Afrim Gashi: S’ka nevojë për panik apo zgjedhje të parakohshme

27 prill 2025 | 14:21

Shumica parlamentare është e qëndrueshme pavarësisht tronditjeve në koalicionin VLEN, ka thënë kryetari i Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë“.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt.

Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë zhvillimet brenda VLEN-it edhe ndryshime në Qeveri apo në Kuvend? Dhe a është në rrezik shumica e Badenterit? A mendoni se bashkë me zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Afrim Gashi: Jemi këtu në Kuvend, dhe përpiqem të jem sa më i shkëputur nga politika ditore dhe partitë politike. Jam vërtet i përkushtuar ndaj punës në Kuvend, por natyrisht nuk mund të shmangim politikën, sepse edhe ne jemi pjesë e strukturave politike. Mendoj se nuk ka arsye për panik, shumica është stabile dhe duhet të vazhdojmë punën, pa marrë parasysh nëse dikush hyn apo del nga koalicioni. Nuk pres ndryshime të mëdha në numrin e deputetëve. Shumica është e fuqishme, kemi rreth dy të tretat.

Nga ana tjetër, po afrohen zgjedhjet lokale, por nuk duhet të na kapin ethet e zgjedhjeve për çdo gjë. Lokalet janë natyrshëm të fokusuara në probleme të infrastrukturës, kanalizimeve, ndriçimit, rrugëve – nuk duhet që politika e lartë të ndikojë në këtë proces. Prandaj nuk do t’i vija në të njëjtën peshore zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kuvendi dhe Qeveria duhet të vazhdojnë punën deri në fund të mandatit, për të garantuar stabilitet politik për qytetarët. Zgjedhjet lokale janë temë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që partneri juaj i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari të mbeten në Qeveri?

Afrim Gashi: Kjo është çështje që do ta vendosin liderët politikë të VLEN-it. Ka sinjale për unifikim të koalicionit në një subjekt të vetëm politik. Nëse kjo ndodh, ata do të vendosin se si do të pozicionohen Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari. Unë për momentin nuk do të hyja në këtë temë. Mendoj se, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ketë ndikim të thellë në politikat qendrore. Dhe gjithsesi nuk duhet të ndikojë aspak në zgjedhjet lokale – janë dy procese të ndryshme dhe qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se VLEN duhet të shndërrohet në një parti politike?

Afrim Gashi: Qytetarët duan stabilitet. Një nga arsyet kryesore pse dikush voton për një parti politike është ndjenja e qëndrueshmërisë që ajo i ofron. Ne ishim katër parti në koalicionin VLEN dhe duam të tregojmë se ky projekt është afatgjatë. Me stabilitetin që i ofrojmë qytetarëve, rritet besimi dhe potenciali për të tërhequr më shumë votues. Nuk është vetëm për numra, është për stabilitet politik.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Ziadin Sela t’i bashkohet nismës suaj?

Afrim Gashi: Nuk e di, nuk është në dorën time kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi në këtë përbërje ka punuar një vit. Si e vlerësoni punën e tij? Me notë nga një deri në pesë?

Afrim Gashi: Sinqerisht, ndihem ende si nxënës dhe nuk do t’i jepja vetes një notë. Por, në përgjithësi, Kuvendi ka përmirësime në disa fusha kyçe: funksionalitet, efikasitet, transparencë dhe diplomaci parlamentare. Këto përmirësime janë të matshme me të dhëna konkrete. Por në politikë perceptimi është shumë i rëndësishëm dhe ai ndryshon ngadalë. Në këto 30 vjet demokraci, qytetarët kanë zhvilluar perceptim negativ ndaj Kuvendit. Nuk mund ta ndryshojmë atë përnjëherë, por besoj se kemi hapur mjaft kanale për të liruar energjinë negative. Synimi im është që deri në fund të mandatit, edhe qytetari nga një fshat i thellë, që na sheh në televizior, të thotë: “Jam i lumtur që kemi këtë Kuvend”.

Radio Evropa e Lirë: Kuvendi u kritikua për mungesën e një seance komemorative për tragjedinë në Koçan. Cili ishte qëndrimi juaj?

Afrim Gashi: Tragjedia në Koçan na preku të gjithëve. U mblodhëm me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe biseduam si njerëz përgjegjës, jo si përfaqësues partish. Kishim konsensus se, në ato ditë zie, mosmbajtja e seancave parlamentare mund të interpretohej si mungesë respekti. Deputetët ishin aktivë në zonat lokale, morën pjesë në komemorime me qytetarët. Prandaj vendosëm të tregojmë respekt, jo me një seancë në sallë, por përmes veprimit tonë të përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Por ushtruesi i detyrës së kryetarit të Koçanit tha se ishte mungesë respekti.

Afrim Gashi: Një person nuk përfaqëson gjithë opinionin publik. Ai është kryetar i një qyteti, por nuk është vetë qyteti.

Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni me qëndrimin e kryeministrit Mickoski që nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj minoriteteve?

Afrim Gashi: Nuk dua të komentoj qëndrimet e të tjerëve. Është e ditur se të gjitha partitë shqiptare, përfshirë VLEN-in, mbështesin nisjen e negociatave me BE-në. Por ka edhe një ndjeshmëri të madhe – edhe gjatë marrëveshjes me Greqinë – që shqiptarët të jenë krah popullit maqedonas në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Integrimi europian është qëllim strategjik, por duhet ruajtur kohezioni ndëretnik – shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit.

Radio Evropa e Lirë: BE ka kërkuar që, në pritje të ndryshimeve kushtetuese deri më 2027, të përmbushen reformat e Planit të Rritjes. A është kjo përparësi?

Afrim Gashi: Ne jemi shteti i parë në rajon që ka përmbushur të gjitha obligimet e fazës së parë të Planit të Rritjes. Prandaj morëm dhe donacionin e parë nga BE. Reforma do të mbetet prioritet. Nuk mund të presim vetëm për ndryshimet kushtetuese. Ka shumë punë për t’u bërë: harmonizimi i legjislacionit, reforma gjyqësore, etj. Nëse ndryshimet kushtetuese mbeten për në fund, të paktën gjithçka tjetër të jetë përfunduar.

Radio Evropa e Lirë: Reforma në gjyqësor përfshin edhe ndryshimet në Kodin Penal. Kur pritet diskutimi dhe votimi?

Afrim Gashi: Po punohet intensivisht. Gjykata Kushtetuese dha rekomandime për Kodin Penal dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike. Kemi krijuar grupe pune. Ligji për komunikimet është dorëzuar në Qeveri sepse kërkon ekspertizë të veçantë. Ne jemi të përqendruar edhe në reformat tjera. Reforma në drejtësi është prioritet i yni, jo vetëm për BE-në. Na duhet një sistem gjyqësor i besueshëm për vete, pastaj hapen edhe dyert për kapitujt negociues.

Radio Evropa e Lirë: A pritet që në qershor të përmbushen afatet?

Afrim Gashi: Do të varet nga grupet punuese. Kuvendi nuk ka ekspertizën teknike për çështje si komunikimet elektronike, por jemi shumë efikasë në procedimin e ligjeve. Çdo ligj që vjen në fillim të muajit, e votojmë brenda atij muaji. Ka rregull, parashikueshmëri, seanca të rregullta çdo muaj. Dhe për reformat, jemi të përkushtuar ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo të marrim propozimet e përgatitura.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron ligji për përfaqësim të drejtë – i ashtuquajturi “balancues”?

Afrim Gashi: Ka vullnet politik, është kërkesë kushtetuese. Po punohet me kujdes për të mos pasur probleme me kushtetutshmërinë apo opinionin e Komisionit të Venecias. Synimi është që të miratohet një ligj funksional, pa dilema. Nuk ka afat zyrtar, por jam shumë optimist se deri në fund të muajit do të arrijë në Kuvend. Dhe do ta procedojmë menjëherë sipas Rregullores.

Radio Evropa e Lirë: Filluat me shumë premtime për reforma në Kuvend, për digjitalizim, por ajo që doli e para ishte shpallja për logo të re. A është kjo më e rëndësishmja?

Afrim Gashi: U prezantuan dy mjete të reja. Pas çdo seance, ajo do të ngarkohet në YouTube dhe qytetarët apo gazetarët do të mund t’i bëjnë pyetje inteligjencës artificiale për secilin diskutant, për votimet, e kështu me radhë. Do të ketë edhe mjet për komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët, për takime virtuale apo fizike. Transparenca dhe llogaridhënia do të rriten ndjeshëm. Logoja e re është pjesë e trendit për t’u përshtatur me kohën dhe për t’i dhënë hapësirë edhe kreativitetit dizajnerëve. Do të vendoset nga një komision profesional. Çdo gjë që është funksionale për Kuvendin dhe për qytetarët, është për të mirën e përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të gjashtën herë iu dha “Jo” e madhe Albulena…