Trump bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë

08 dhjetor 2024 | 17:05

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje të dielën për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, menjëherë pas një takimi në Paris me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se Kievi “do të donte të arrinte një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës vazhdon që prej mbi 1000 ditësh.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkruan se Moska dhe Kievi kanë humbur qindra mijëra ushtarë në një luftë që “nuk duhet të kishte filluar kurrë”.

“Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe të fillojnë negociatat. Shumë jetë po humbin pa nevojë, shumë familje po shkatërrohen”, tha ai, ndërsa i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të veprojë për t’u dhënë fund luftimeve.

Komentet e zotit Trump erdhën pas takimit të shtunën me presidentin Zelensky dhe homologun e tij francez, Emmanuel Macron, të cilin zoti Zelensky më vonë e përshkroi si “konstruktiv”.

Duke folur me gazetarët më vonë po të shtunën, zoti Zelensky këmbënguli se çdo marrëveshje paqeje “duhet të jetë e drejtë” për ukrainasit, “në mënyrë që Rusia dhe Putini apo çdo agresor tjetër të mos kenë mundësinë të kthehen”.

Në një përditësim të veçantë në mediat sociale të dielën, Zelensky pohoi se Kievi ka humbur 43,000 ushtarë që nga fillimi i agresionit të Moskës më 24 shkurt 2022, ndërsa 370,000 të tjerë janë plagosur.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë hezituar të publikojnë shifrat zyrtare të viktimave, por zyrtarët perëndimorë kanë thënë se muajt e fundit të luftës së ashpër në Ukrainën lindore kanë sjellë humbje rekord për të dyja palët, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe të plagosur çdo muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
West Ham United njoftoi këtë të diel se sulmuesi Michail…