Trump dhe Kim mbajnë takimin historik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se bisedimet për çarmatosjen e Gadishullit Korean nga armët bërthamore, do të jenë një “sukses i jashtëzakonshëm”.
Trump i bëri komentet pas një takimi, prej 45 minutash, me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Sentosa të Singaporit.
I pyetur nga gazetarët se si ndjehet për takimin e cilësuar si historik, Trump u përgjigj: “Vërtet shkëlqyeshëm”.
“Do të ketë diskutime të mëdha dhe mendoj në sukses të jashtëzakonshëm”, ka thënë Trump.
Disa orë para takimit, Trump u shpreh më i matur në një postim në “Twitter”.
“Takimet midis stafit dhe përfaqësuesve po shkojnë mirë dhe shpejt. Por, në fund, kjo nuk ka rëndësi. Do të mësojmë së shpejti nëse do të ketë ose jo marrëveshje”, tha Trump.
Në fillim të takimit me Kimin, i cili filloi me shtrëngim duarsh, Trump tha: “Duke punuar së bashku, do ta zgjidhim këtë”.
Kim, nga ana e tij, tha se “nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu”.
“Në të kaluarën, praktikat e vjetra dhe paragjykimet punuan kundër nesh dhe vendosën shumë pengesa në rrugën tonë, por i mposhtëm të gjitha dhe ja ku jemi sot”, ka thënë Kim.
Dy liderët po i vazhdojnë bisedimet dypalëshe bashkë me stafin e tyre. Ky takim pritet të zgjasë disa orë dhe të përfshijë një drekë pune.
Është ky takimi i parë midis një presidenti amerikan dhe homologut të tij verikorean.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se takimi i parë nuk pritet të sjellë ndonjë arritje të madhe dhe shtoi se ai duhet të shërbejë si kornizë për “punën e vështirë që do të pasojë”.