Trump: Do e ftoj Zelenskyn sërish në Shtëpinë e Bardhë!

11 mars 2025 | 21:49

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, ka reaguar pas dakordësimit SHBA-Kiev për marrëveshjen e propozuar nga Uashingtoni për armëpushim 30-ditor në Ukrainë.

Trump thotë se “delegacioni i SHBA-ve pritet të takohet me përfaqësuesit e Rusisë më vonë sot ose nesër për të marrë përgjigje lidhur me armëpushimin në Ukrainë”.

Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se do të ftojë Volodymyr Zelenskyn përsëri në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se “ne duam ta mbyllim luftën në Ukrainë”.

Sot (11 mars) delegacionet e SHBA-ve dhe të Ukrainës biseduan për rreth nëntë orë në Arabinë Saudite lidhur me negociatat e paqes për Ukrainën.

Pas përfundimit të bisedimeve, Kievi pranoi propozimin e Uashingtonit për armëpushim 30 ditor në Ukrainë, ndërkohë që SHBA rinisi shërbimin e inteligjencës me Ukrainën.

Pas bisedimeve të suksesshme, presidenti ukrainas tha se propozimi 30-ditor i armëpushimit mbulon vijën e frontit, jo vetëm ajrin dhe detin.

“Pala amerikane i kupton argumentet tona, i pranon propozimet tona dhe dua të falënderoj presidentin Trump për konstruktivitetin e bisedës mes ekipeve tona”, tha ai në një deklaratë në Telegram.

Zelensky konfirmoi se Ukraina ka pranuar propozimin e armëpushimit, duke shtuar se “ne e konsiderojmë atë pozitiv dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim këtë hap”.

Deklarata e përbashkët SHBA-Ukrainë

Në deklaratën e tyre të përbashkët, pas një takimi nëntë orësh, SHBA dhe Ukraina theksojnë se SHBA do të heqë menjëherë pezullimin e shkëmbimit të informacionit dhe do të vazhdojë ndihmën e saj për Ukrainën për sigurinë në Ukrainë.

Është një përparim i rëndësishëm për Ukrainën, e cila u mbështet në inteligjencën amerikane në lëvizjet e ushtrisë ruse dhe vendndodhjet e objekteve kritike. Përveç kësaj, dihej se ndihma për sistemet kritike amerikane, përfshirë bllokuesit për avionët luftarakë, ishte ndërprerë.

Ukraina shprehu gjithashtu gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, ka “mirëpritur ngrohtësisht”…