Trump, do të bashkëpunojë me hetimin e demokratëve në Kongres
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të bashkëpunojë me hetimin ndaj fushatës së tij presidenciale dhe biznesit të tij, hetim i filluar të hënën nga demokratët e opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve. Trump vazhdon të mohojë se ka pasur ndonjë shkelje që përfshin lidhje të fushatës së tij me Rusinë apo gjatë presidencës së tij.
Dy vitet që kur Presidenti Donald Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të trazuara dhe pritet që situata të trazohet më tej.
Të hënën, Komisionit Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi dokumente nga më shumë se 80 vetë brenda administratës Trump, familjes dhe biznesit të tij, duke përfshirë ish-avokatin personal Michael Cohen, djemtë Eric dhe Don Junior si dhe dhëndrrin Jared Kushner – si pjesë e hetimit mbi akuzat për pengim të drejtësisë, korrupsion dhe shpërdorim pushteti.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do të përgjigjet “në kohën e duhur”.
“Unë bashkëpunoj gjithë kohën me të gjithë, dhe e di ç’është më e bukura? Nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë. Është e gjitha mashtrim,” ka thënë presidenti Trump.
Trump mohon se ka pasur shkelje që përfshijnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Komisioni Juridik i Dhomës është mjaft i fuqishëm dhe në të kaluarën ka hetuar presidentët Richard Nixon dhe Bill Clinton për akuzat për pengim të drejtësisë dhe keqpërdorim të pushtetit. Deri tani, ky hetim nuk ka lidhje me ndonjë proces për shkarkimin e presidentit. “Nëse kjo do të shdërrohet ose jo në një skandal në përmasat e Uotergejtit, skandali i vetëm që ka detyruar një president të largohet nga posti, mbetet për t’u parë se ç’do të rezultojë nga këto dëgjesa publike”, ka deklaruar Jeremy Venook, i Qendrës Amerikane të Progresit
Hetimi i tanishëm nuk ka lidhje me hetimin rreth Rusisë, i drejtuar nga Robert Mueller, rezultatet e të cilit priten shumë shpejt. “Ne thjesht nuk e dimë se çfarë mund të dalë në këtë raport për ndonjë komplot me rusët. Sigurisht që ka shumë tym. Mbetet për t`u parë nëse ka zjarr”, ka thënë Alan Lichtman, historian në Universitetin Amerikan.
Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve është një tjetër goditje pas dëshmisë së bujshme që dha javën e kaluar ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen. “Puna e të gjithëve në organizatën Trump është ta mbrojë zotin Trump çdo ditë. Shumica prej nesh e dinin se po vinte dita që do të gënjenim për diçka në emër të tij, dhe kjo u bë normë. Dhe pikërisht kjo po ndodh tani”, ka thënë Cohen.
Ka edhe hetime të tjera ndaj rrethit të brendshëm të presidentit, duke përfshirë ato në gjykatat e qarkut Jugor të Nju Jorkut si dhe në Nju Xhersi dhe në Uashington, D.C./voa/