Trump e quan Zelenskyn “diktator pa zgjedhje”, i bën thirrje të “veprojë shpejt”

19 shkurt 2025 | 19:07

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një “diktator pa zgjedhje”, duke shtuar se ai “bënë mirë që të veprojë shpejt, në të kundërtën nuk do të ketë më një shtet”.

Këto deklaratë vijnë një ditë pas takimit SHBA-Rusi, në Riad të Arabisë Saudite, ku këto dy shtete janë pajtuar për t’i adresuar faktorët “acarues” në raportet mes dy shteteve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë.

Në këtë takim nuk mori pjesë Ukraina. Zelensky porositi se “asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë”, raporton Rel.

Presidentit ukrainas ishte paraparë t’i përfundonte mandati presidencial në maj të vitit 2024, por Kushtetuta ukrainase ndalon mbajtjen e zgjedhjeve kur shteti shpall gjendje lufte. Gjendja e luftës është në fuqi në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Por, SHBA-ja së fundi i ka kërkuar Ukrainës që të mbajë zgjedhje të reja, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, që e cilëson Zelenskyn si udhëheqës jolegjitim, ka thënë se ai nuk do të negocionte me të, pasi ka argumentuar se ai nuk ka autoritet që të nënshkruajë një marrëveshje të paqes.

Pas kritikave më të ashpra që Trump ka bërë deri më tani në drejtim të Ukrainës, kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha, shkroi në rrjetet sociale se “askush nuk mund ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet”.

“Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të ekzistuar”, tha ai.

Po ashtu, reagimi i Trumpit erdhi pasi më herët gjatë 19 shkurtit, Zelensky hodhi poshtë pretendimin e presidentit amerikan se popullariteti i udhëheqësit ukrainas ishte vetëm 4 për qind. Zelensky tha se Trump po përsërit dezinformata, që sipas tij, vinin nga Moska.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Trump kishte bërë deklarata edhe një ditë më herët, kur la të kuptohej se ai fajësonte Ukrainën për nisjen e konfliktit.

“Nuk duhet ta kishit nisur kurrë. Mund të kishit bërë një marrëveshje”, tha Trump.

Ai nuk e sqaroi se çfarë nënkuptonte me këtë, por shpesh ka lënë të kuptohet se lufta filloi për shkak të dëshirës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

Ekspertët thonë se pushtimi i plotë nga Rusia u nxit nga ambiciet imperialiste të Putinit dhe jo nga aspirata e Ukrainës për NATO-n, e cila kishte pak mbështetje nga Perëndimi në atë kohë.

Trump më 19 shkurt po ashtu foli për bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Ndërkohë, ne suksesshëm po negociojmë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, diçka që të gjithë e pranojnë që vetëm Trump dhe administrata Trump mund ta bëjnë”, tha Trump.

Udhëheqësi amerikan tha se paraardhësi i tij, demokrati Joe Biden, nuk kishte tentuar asnjëherë t’i jepte fund luftës, ndërkaq tha se Evropa ka dështuar që të sjellë paqe.

“E dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, shteti i tij është shkatërruar dhe miliona kanë vdekur pa nevojë”, tha Trump.

Trump po ashtu tha se shteti i tij ka shpenzuar 350 dollarë për Ukrainën për një luftë “që nuk mund të fitohet, që nuk do të duhej të kishte nisur, por një luftë që ai, pa SHBA-në dhe Trumpin, kurrë nuk mund ta zgjidhë”.

Zelensky tha të mërkurën se rezultati i negociatave midis përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në kryeqytetin saudit, Riad, ishte heqja e izolimit ndërkombëtar të liderit rus, Vladimir Putin.

“Mendoj se Putini dhe rusët janë shumë të lumtur, sepse çështja po diskutohet me ta si një ‘viktimë’, kjo është diçka e re”, tha Zelenskyy në një konferencë shtypi në Kiev më 19 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se është informuar për bisedimet e mbajtura në Riad, të cilat i vlerësoi “lart”.

Ai tha se Rusia ka nevojë të ndërtojë besimin me SHBA-në në mënyrë që të zgjidhet konflikti në Ukrainë.

“Është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë kriza ukrainase, pa rritur nivelin e besimit mes Rusisë dhe SHBA-së”, deklaroi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen atë…