Trump firmos të tjera sanksione ndaj Turqisë
Siç kishte paralajmëruar, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar sanksionet e reja kundër Turqisë, si ndëshkim për operacionin kundër kurdëve në veri të Sirisë. Sanksionet parashikojnë rritje me 50% të tarifave të importit të çelikut nga Turqia dhe pezullimin e bisedimeve të disa marrëveshjeve tregtare me vlerë 100 miliardë dollarë.
Më herët, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, kërkoi armëpushim të menjëhershëm në mes Turqisë dhe militantëve në veri të Sirisë, ndërsa u shpreh se do të vizitonte shumë shpejt rajonin. “Shtetet e Bashkuara nuk e dhanë dritën jeshile për ndërhyrjen turke në Siri. Presidenti Trump e bëri të qartë që SHBA do të marrë masa kundër ekonomisë turke deri kur dhunës t’i jepet fund. Duam një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime mes Turqisë dhe forcave të mbrojtjes siriane”, ka deklaruar Pence.
Perëndimi akuzon Ankaranë se po kryen spastrime etnike në Siri. Militantët kurdë, Uashingtoni i ka pasur aleatë në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ngul këmbë se operacioni “Burimi i Paqes” do të vijojë deri kur veriu i Sirisë të jetë pastruar nga terroristët e Shtetit Islamik dhe ata kurdë.