Trump flet për sekretaren personale, fotot e klasifikuara
Presidenti Trump do të kthehet të dielën në Shtëpinë e Bardhë nga klubi i tij i golfit në shtetin Virxhinia dhe më pas do të vizitojë selinë e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Uashington.
Disa komente të tij në Twitter të shtunën u përqëndruan te largimi i papritur i sekretares së tij personale, Madeleine Westerhout, e cila gjatë një darke u kishte shpërndarë thashetheme një grupi reporterësh për zakonet e të ngrënit të Presidentit. Ajo kishte folur edhe për vajzën e tij, Tiffany Trump, duke thënë se presidentit nuk i pëlqen të fotografohet me të, pasi mendon se ajo është mbipeshë.
Disa botues njoftohet se kanë kërkuar të kontaktojnë zonjën Westerhout pas ngjarjes, kur ajo nuk u lejua të kthehej në zyrë si ndihmëse personale e presidentit.
Presidenti Trump tha në Twitter se Westerhout kishte nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti, por shtoi: “Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë arsye për ta përdorur atë. Më telefonoi dje për të kërkuar falje, kishte patur një natë të keqe. E kuptova plotësisht dhe e fala! Unë e dua shumë (vajzën) Tiffany, asaj po i shkojnë gjërat mirë!”
Ndërkohë, vetë zoti Trump po përballet me kritika në lidhje me publikimin e informacioneve të klasifikuara të qeverisë amerikane. Të premten ai publikoi në Twitter një fotografi të hollësishme nga shpërthimi i shtratit të një rakete iraniane që do të lëshohej për të vendosur një satelit në hapësirë.
Analistët thonë se publikimi i një imazhi me një rezolucion të tillë është i pashembullt dhe ndoshta është marrë nga një satelit spiun amerikan KH-11 i njohur si USA-224.
“Ne kishim një foto dhe unë e publikova, gjë për të cilën unë kam të drejtën absolute ta bëj,” u tha Presidenti Trump gazetarëve.
Presidentët e SHBA kanë të drejtën të deklasifikojnë informacione, nëse e gjykojnë kështu. Shembulli më i spikatur ishte vendimi i Presidentit John Kennedy në vitin 1962 për të bërë publike fotografi të marra nga një aeroplan spiun U-2 që zbulonte se trupat sovjetike po vendosnin në Kubë raketa që vinin në shënjestër Shtetet e Bashkuara.VOA