Trump flet sërish për transferimin e palestinezëve nga Gaza dhe këmbëngul se Jordania dhe Egjipti do të pranojnë

29 janar 2025 | 12:45

Donald Trump i është rikthyer deklaratës së tij për zhvendosjen e banorëve të Gazës në Jordani dhe Egjipt, duke thënë se palestinezët do të jetonin më mirë në një vend “ku nuk ka dhunë”.

“Unë do të doja që ata të shkojnë në një zonë ku mund të jetojnë pa trazira, revolucione dhe dhunë,” u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e Air Force One, ndërsa këmbënguli se Egjipti dhe Jordania do të pranojnë.

I pyetur nëse ky pozicion do të thotë se ai nuk beson më në një zgjidhje me dy shtete, Trump shmangu përgjigjen drejtpërdrejt, duke thënë se do ta diskutojë këtë çështje me kryeministrin Benjamin Netanyahu kur të vijë në Uashington për ta takuar.

Dy burime konfidenciale i thanë Times of Israel dje se zyra e Netanyahut po planifikon që kryeministri të udhëtojë në Uashington të dielën, ku ai do të takohet me Trump në fillim të javës përpara se të kthehet në Izrael të mërkurën. Udhëtimi ende nuk është finalizuar dhe do të varet nga shëndeti i Netanyahut, i cili po rikuperohet nga operacioni i prostatës.

Jordania është tashmë ‘shtëpia’ e disa milionë palestinezëve, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gazë të zhvendosen në shtetet e tyre. Gaza është territor që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez.

Një zyrtar i Hamasit nënvizoi frikën e kahershme të palestinezëve se do të dëboheshin përgjithmonë nga shtëpitë e tyre.

Palestinezët “nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse duket se kanë qëllime të mira nën maskën e rindërtimit, siç njoftohet në propozimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Trump”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, Basem Naim, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.

Jordania hodhi poshtë sugjerimin e Trump, ndërsa ministri i Jashtëm Ayman Safadi u tha gazetarëve se qëndrimi i vendit kundër çdo zhvendosjeje të palestinezëve nga Gaza mbetet “i vendosur dhe i palëkundur”.

Egjipti ende nuk ka komentuar, por ka thënë në shumë raste se kundërshton zhvendosjen e palestinezëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Naser Krasniqi tha se sektori i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) ka…