Trump heq kufizimet për fluturimet nga zona Schengen, Biden nuk pajtohet
Presidenti amerikan në largim, Donald Trump dekretoi heqjen e kufizimeve për fluturimet nga zona Schengen dhe Brazili më 26 janar, ndërkohë që do të mbeten në fuqi ato nga Kina dhe Irani.
Megjithatë, administrata e ardhshme e Biden është përgjigjur se kufizimet do të qëndrojnë. Trump, i cili pritet të largohet nga zyra në më pak se 48 orë, tha në një deklaratë se “hyrja e pakufizuar” në SHBA e personave nga zona Schengen, Britania e Madhe, Irlanda dhe Brazili “nuk është më të dëmshme për interesat e SHBA”, raporton ATSh.
Ai tha se vendimi u mor bazuar në këshillat shëndetësore të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që lëshoi një urdhër që hyn në fuqi më 26 janar. CDC-ja u kërkon të gjithë pasagjerëve që udhëtojnë drejt SHBA-së që të sigurojnë provën e një testi negativ Covid-19.
Menjëherë pas njoftimit të Trump, një zëdhënës i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden tha se administrata e ardhshme “nuk ka ndërmend të heqë” kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare.