
Trump i gatshëm për sulm ushtarak ndaj Iranit “nëse është nevoja”, SHBA ka një armë sekrete që s’e di askush
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se Izraeli do të jetë “udhëheqësi” i një sulmi të mundshëm ushtarak kundër Iranit nëse Teherani nuk heq dorë nga programi i tij i armëve bërthamore.
Trump i bëri këto komente përpara bisedimeve të planifikuara këtë fundjavë që përfshijnë zyrtarë amerikanë dhe iranianë në sulltanatin e Omanit në Lindjen e Mesme.
Trump më herët këtë javë tha se bisedimet do të jenë “të drejtpërdrejta”, ndërsa Irani e ka përshkruar angazhimin si bisedime “të tërthorta” me SHBA-në.
“Nëse është e nevojshme, absolutisht… Nëse kërkon ushtri, ne do të kemi ushtri”, tha Trump. “Izraeli padyshim do të jetë shumë i përfshirë në këtë. Ata do të jenë udhëheqës të kësaj. Por askush nuk na udhëheq, por ne bëjmë atë që duam të bëjmë”, u shpreh ai.
Trump tha se SHBA nuk mund ta lejojë në asnjë mënyrë Iranin që të ketë armë bërthamore.
Teksa fliste për kapacitetet e ushtrisë amerikane, Trump tha se vendi i tij posedon një armë sekrete tepër të fuqishme për të cilën askush nuk di gjë.